Kosovë, 17 vite pas luftës, pronat ende të uzurpuara

14/02/2016 00:00

Plot 17 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, shumë prona shoqërore dhe lokale të ndryshme vazhdojnë të jenë të uzurpuara nga njerëz të fuqishëm, që pasluftës kanë folur në emër të UÇK-së dhe askush nuk ka guxuar të ballafaqohet me ata.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila menaxhon pronën shoqërore në Kosovë, është urdhëruar nga Kuvendit i Kosovës të bëjë publike të gjithë emrat e uzurpatorëve, ndërsa në mesin e tyre pritet të ketë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Kemi dakordësuar listën dhe informacionet, siç edhe ju kemi informuar edhe më herët për të gjithë uzurpatorët e pronave shoqërore. Ato do të bëhen publike të hënën”, tha Petrit Gashi, kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Këtu, në Kuvendin e Kosovës keni pasur shumë deputetë, të cilët qëndrojnë ndoshta prapa uzurpimeve, por edhe prapa privatizimeve, duke u drejtuar gishtat kolegëve të tyre se kanë privatizuar të gjithë Kosovën. Le të merret vesh, le të dihet. Është edhe një përgjegjësi morale, përveç asaj juridike”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari kosovar u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë, që menjëherë pas publikimit të emrave të uzurpatorëve, të mos heshtin por të nisin procedurat e ndjekjes penale ndaj të gjithë atyre, që nga viti 1999 e këtej kanë uzurpuar prona shoqërore.

Top Channel