Interi lëviz në marketing, pranë rinovimit me “Pirelli”-n

14/02/2016 00:00

Erick Thohir nuk është vetëm në kërkim të investitorëve të rinj, por edhe të zgjidhjes së çështjes së sponsorizimit.

Sipas asaj që publikohet në median italiane, presidenti i Interit vazhdon bisedimet me drejtuesit e kompanisë “Pirelli” për rinovimin e kontratës, e cila skadon në qershor të këtij viti.

Duket se gjërat po ecin mirë në këtë pikë, pasi palët janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për një kontratë të re 3-vjeçare për 9 milionë euro në sezon, shifër e cila mund të rritet në 18 milionë euro nëse i shtohen edhe disa bonuse të tjera.

Por jo vetëm kaq, tek Interi po mendohet edhe për një sponsor të dytë. Sipas medias italiane, në “pole position” për të marrë këtë rol janë dy kompani ajrore aziatike; kompania kineze “Hainan” dhe ajo indoneziane “Garuda”, me këtë të fundit që është edhe partner i Liverpool.

Kjo është një lëvizje e rëndësishme e Thohir për marketingun, për të ndihmuar klubin milanez për të qenë sa më konkurrues dhe për të redukltuar sa më shumë të jetë e mundur diferencat, që janë në këtë pikë me klubet më të mëdha europiane.

Top Channel