Veseli, takim me 3 ambasadorë: Zgjedhja e presidentit, transparente

11/02/2016 00:00

Zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhja e presidentit të ri kosovar kanë qenë temat e takimeve të ndara, që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pasur me 3 ambasadorët më aktivë në Prishtinë.

Ambasadori amerikan Greg Delawie nuk ka folur pas takimit me Veselin, ndërsa dy ambasadorët e tjerë, ai i Norvegjisë dhe ai i Britanisë së Madhe janë shprehur qartë se, Kosovës i nevojitet shpejt një president i ri dhe se, opozita duhet të ndjekë rrugët demokratike për kërkesat e saj.

“Kosovës i nevojitet së shpejti një president, por kjo duhet të bëhet duke u koordinuar me institucionet dhe mbi bazën e ligjit. Nëse zgjedhjet janë proces kushtetues është tjetër gjë, por në cilin vend të Europës ekziston ndonjë opozitë që kërkon apo përcakton zgjedhje? Kjo nuk është e zakonshme. 33 deputetë kanë 25 për qind të votave. Ne i respektojmë këto vota, këta votues dhe të gjitha partitë. Nuk jemi kundër askujt, por po themi: Ju lutemi, respektoni rregullat”, tha Jan Braathu, ambasador i Norvegjisë në Kosovë.

“Po, kemi biseduar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Për ne është shumë e rëndësishme, në çdo aspekt të jetës së Kosovës, që të respektohet ligji dhe Kushtetuta, deri në fund”, tha Ruairi O’Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë.

Pas takimeve me ambasadorët, edhe kryeparlamentari Veseli, përmes një komunikate për media tha se, i ka siguruar diplomatët se procesi i zgjedhjes së presidentit do të jetë plotësisht kushtetues, demokratik dhe transparent.

Top Channel