F1, kritikon Adrian Newey: Ligjin e bëjnë Ferrari dhe Mercedes

22/12/2015 00:00

Adrian Newey nuk i kursen kritikat në drejtim të Formula 1. Specialisti i dizajnit në Formula 1, në një intervistë për Asian Age, ka shprehur pakënaqësinë për atë çfarë po ndodhë në këtë kampionat, ku sipas tij kontrollin e kanë marrë Ferrari dhe Mercedes.

“Çfarë nuk po shkon mirë në këtë moment në Formula 1 është se se ky kampionat po dominohet nga motorët. Rregullat për shasitë e makinave janë shumë të forta, ndërkohë që me motorët mund të eksperimentohet. Jemi në një situatë ku duket qartë se vetëm Mercedes dhe Ferrari janë në gjendje për të fituar tituj. Të dy këto skuadra tashmë kanë marrë kontrollin e këtij sporti. Shpresoj që FIA të reagojë dhe të rimarrë kontrollin e situatës”, tha Newey.

Në Botërorët 2017 dhe 2018 do të ketë rregulla të reja për shasitë e makinave dhe për Newey, kjo është diçka pozitive.

“Gjithnjë më ka pëlqyer ndryshimi i rregullave. Të jep mundësi për të bërë eksperimentime. Mendoj se motorët aktuale duhet të përdoren edhe në të ardhmen. Një version tjetër do të rriste numrin e kompanive prodhuese të tyre në Formula 1. Një tjetër gjë që FIA duhet të bëjë është të vendosë një standard për motorët për të bërë të gjitha skuadrat sa më kompetitivë”, vijoi Newey.

Top Channel