Turi i Francës, përfundon etapa e parë. Kryeson australiani Rohan Dennis

04/07/2015 00:00

Ka përfunduar etapa e parë e Turit të Francës, që nisi këtë të shtunë e që u transmetua direkt në Top Channel.

Në përfundim të saj, kohën më të mirë e regjistroi çiklisti australian Rohan Dennis, me 14 minuta e 56 sekonda, i ndjekur nga gjermani Tony Martin me 5 sekonda më shumë.

Kohën e tretë më të mirë e ka arritur zvicerani Fabian Cancellara, me 6 sekonda plus, duke lënë pas holandezin Tom Dumoulin, me 8 sekonda plus dhe holandezin tjetër, Van Emden, me +15.

“Çdo gjë shkoi në mënyrë të përsosur. Ne u futëm në garë me taktikën e shpejtësisë që në fillim, të kryesonim etapën dhe të bënim që gjithë të tjerët të na vinin pas. Është si një ëndërr. Gjithmonë kam dëshiruar të jem në këtë pozicion dhe tani jam”, u shpreh në përfundim të etapës, Rohan Dennis.

Koha e arritur nga australiani është më e shpejta e arritur ndonjë herë në Turin e Francës.

Ndërkohë, italiani Vincenzo Nibali ka dalë i fundit. Fituesi i turit të vitit të kaluar arriti kohën 15 minuta dhe 39 sekonda.

Të dielën më 5 korrik do të jetë etapa e dytë e turit, që është e përshtatshme për çiklistët e shpejtësisë. Kjo etapë do të ketë itinerarin Utreht-Zeland, e gjatë 166 km dhe do të trasmetohet drejpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel