F1, Vettel ëndërron Botërorin: Fitorja në Monza? Speciale

29/06/2015 00:00

“Dua të fitoj sa më shumë tituj të mundem këtu. Duam të rikthejmë magjinë e disa viteve më parë”.

Sebastian Vettel vazhdon të ëndërrojë një të ardhme triumfuese me Ferrarin. “Këto 6 muaj të parë kanë qenë fantastikë. Fillimi i sezonit ka qenë gjithashtu i shkëlqyer, ndaj jam shumë i kënaqur”, është shprehur piloti gjerman nga Budapesti i Hungarisë, ku ndodhej për një shfaqje të organizuar nga Ferrari.

Piloti 4 herë kampion bote nga Heppenheim është ngjitur 5 herë në podium gjatë 8 garave të deritanishme të zhvilluara me “kokëkuqen”, një ecuri e mirë dhe që kulmoi me suksesin e parë të arritur në Malajzi. Vettel, i treti në renditjen për pilotë me 49 pikë larg Lewis Hamilton, tashmë ëndërron fitoren e dytë në Çmimin e Madh të “shtëpisë” së Ferrarit.

“Të fitoj në Monza do të ishte speciale, sepse është pista e shtëpisë sonë dhe do të përbënte një emocion të jashtëzakonshëm”, thotë Vettel, duke menduar kështu për garën e shtatorit.

Megjithatë, rruga për të ngushtuar diferencat me Mercedesin është ende e gjatë. “Jemi duke punuar me maksimumin e mundësive, duam ta rikthejmë Ferrarin në krye, por nuk do të jetë e lehtë”, pranon Seb. “E dimë se kemi ende një ekip më të mirë përpara nesh – duke aluduar për Mercedesin, – por edhe këto rezultate të deritanishme janë të mëdha. Duhet të jemi të ndershëm dhe të pranojmë hapat që kemi përmbushur deri më tani, e që realisht ka qenë më i madhi ndër të gjithë skuderitë e tjera. Mund të kënaqemi me këtë, por sigurisht që nuk është ajo që kërkonim. Objektivi ynë është të përmbushim edhe hapin e fundit”.

Top Channel