F1, Jenson Button: Jam optimist

09/04/2015 00:00

Jenson Button mendon se McLaren do të nisë paraqitjet e mira që nga Çmimi i Madh i Kinës. Piloti britanik theksoi se vështirësitë që pati skuadra në testimet dimërore ndikuan në paraqitjet e dobëta në dy garat e para, ku asnjë prej pilotëve të kësaj skuderie (Button, Alonso dhe Magnussen) nuk ka arritur të marrë pikë.

“Gjithmonë është e vështirë kur në dimër nuk bën shumë kilometra. Të gjithë u habitëm që përfunduam garën në Melburn, ndërsa në Malajzi ishim përmirësuar shumë, edhe pse njerëzit nuk e vunë re këtë. Njerëzit panë që nuk arritëm ta përfundonim garën dhe kaq, por ne grumbulluam të dhëna që do na ndihmojnë në përmirësimin e mëtejshëm”, deklaroi Jenson Button.

Britaniku shtoi se e ardhmja e McLaren-it është e ndritur: “Tifozët habiten nga optimizmi im duke parë gjendjen aktuale, por unë jam optimist pasi shoh një të ardhme të ndritur.”

Provat zyrtare të Çmimit të Madh të Kinës do të zhvillohen të shtunën në orën 09:00, ndërsa gara do të zhvillohet të dielën në orën 08:00. Të dyja këto evente do të mund t’i ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel