Roma, Garcia: Pak shanse për rezultat pozitiv

05/11/2014 00:00

Në vigjilje të ndeshjes me Bayernin, Garcia nuk mund të gjejë fjalë për të përshkruar vështirësinë e kësaj sfide.

“Kemi shumë pak shanse të marrim një rezultat pozitiv, le të themi 10% të shanseve. Por, më shumë se sa rezultati, vlerë në këtë ndeshje do të ketë ajo që do të japim në fushë. Bayerni tashmë është i paarritshëm, por nuk nuk do të thotë se ne nuk do ta provojmë. Duhet të zhvillojmë një ndeshje kurajoze dhe të jemi më kompakt se sa në ndeshjen e kaluar. Më pas le të shohim nëse mund t’ia dalim të bëjmë një figurë më të mirë”.

Ndërkohë tekniku spanjoll i gjigantëve të Bundesligës, vazhdon të mos i besojë rezultatit të thellë 7-1 në takimin e parë. “Me Romën do të jetë një sfidë shumë e vështirë, sepse verdhekuqtë do të kërkojnë të luajnë për nderin e fanelës. Do të japin gjithçka në fushë për të na krijuar probleme”.

Pep duket se do të mendojë më shumë për mbrojtjen, në atë që mund të konsiderohet edhe si ndeshje për të përcaktuar kualifikimin, duke qenë se bavarezëve u duhet vetëm 1 pikë për të kaluar në 1/8-at e finaleve.

“Kemi një mundësi të mbyllim diskutimin e kualifikimit, në një moment shumë të hershëm, me 2 ndeshje nga fundi i fazës së grupeve. Besoj se do të jetë një sfidë e madhe”.

Top Channel