Reali prezanton Keylor Navasin

05/08/2014 00:00

Keylor Navas u prezantua mesditën e së martës në stadiumin Santiago Bernabeu si portieri i ri i Realit të Madridit.

Futbollisti i cili shkëlqeu në Botërorin e Brazilit me Kosta Rikën ka firmosur një kontratë deri në qershor të vitit 2020 dhe do të fitojë 2 milionë e gjysmë euro në sezon.

“Falenderoj Zotin që më dha mundësinë të realizoja ëndrrën time. Është dita më e rëndësishme e karrierës sime. Falenderoj Realin që pati besim tek mua dhe falenderoj të gjithë popullin e Kosta Rikës. Jam i lumtur që jam pjesë e klubit më të madh në botë. Shpresoj të ndihmoj në fitimin e titujve”, tha portieri i cili do të luftojë për një vend titullari me spanjollin Iker Casillas.

Keylor Navas theksoi se është gati të japë gjithçka për të vënë në vështirësi trajnerin në momentin e zgjedhjes së portierit të parë.

“Jam i qetë. E di që duhet të punoj dhe të sforcohem shumë pasi tek Reali luajnë më të mirët. Unë kam për detyrë të jem gati nëse trajneri më jep një mundësi”, tha portieri që do të mbajë këtë sezon fanelën me numrin 13.

Top Channel