“Janë vjedhur 713 milionë lekë”

29/07/2014 00:00

Banka e Shqipërisë deklaroi se shuma e grabitur është 713 milionë lekë, prej të cilave 143 milionë të nxjerra nga qarkullimi për t’u asgjesuar.

Njoftimi zyrtar u bë në mbrëmje nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës në përfundim të procesit të inventarizimit të plotë të të gjithë vlerave monetare që ndodhen në magazinë.

Në një njoftim për shtyp thuhet se grupet e punës të ngritura enkas pas lajmit për supergrabitjen kanë konkluduar se të gjitha aktet nënligjore që rregullojnë dhe disiplinojnë veprimtarinë për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare në gjendje “cash” janë hartuar në përputhje të plotë me bazën ligjore që rregullon veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë dhe në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare me të cilat operojnë bankat e tjera qendrore.

Në njoftim thuhet se procedurat e mirëpërcaktuara në këto akte garantojnë evidencë të saktë kontabël si dhe siguri fizike të vlerave monetare në ruajtje dhe në administrim. Për Bankën e Shqipërisë, infrastruktura teknologjike është e duhura dhe garanton monitorim të vazhdueshëm të të gjithë ambienteve ku zhvillohet aktiviteti i përpunimit të “cash”-it si dhe të ambienteve ku ai magazinohet.

Sipas bankës, inventarizimet dhe kontrollet periodike janë kryer në vazhdimësi në përputhje me bazën rregullative në fuqi. “Por, pavarësisht kësaj, mospërmbushja me rigorozitet e detyrës nga ana e disa punonjësve, ka krijuar hapësira për përvetësimin e vlerave monetare. Hetimi administrativ nga ana e Bankës së Shqipërisë për të përcaktuar përgjegjësitë individuale është në proces, ndërkohë që prokuroria nga ana e saj është duke kryer hetimet e duhura për të vendosur të gjithë personat përgjegjës para ligjit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, theksohet se rezervat e parasë “cash” (thesari për analogji) të magazinuara në Bankën e Shqipërisë në ambientet e sigurisë së lartë nuk janë prekur. “Përvetësimi i parave ka ndodhur në hallkën e ndërmjetme që ka natyrën e një sporteli operacional ku kryhen veprimet e përditshme me “cash”-in. Në këtë hallkë, mosrespektimi me rigorozitet i procedurave nga disa prej punonjësve krijoi mundësi për abuzime të kësaj natyre”, vijon deklarata e Këshillit Mbikqyrës.

Banka e Shqipërisë garanton publikun se aktiviteti i saj operacional është duke funksionuar normalisht, në përmbushje të detyrimeve për furnizimin e sistemit bankar me likuiditetin e nevojshëm.

Supergrabitja në Bankën e Shqipërisë

Dyshimi për transferimin e parave jashtë, nën hetim të afërmit e dy të arrestuarve

Të gjithë të afërmit e ekonomistit të Bankës së Shqipërisë Ardian Bitraj
dhe të bashkëshortes së tij janë vendosur nën hetim pasuror nga
Prokuroria për shkak të dyshimeve të forta se i dyshuari për vjedhje
duke shpërdoruar detyrën mund të ketë transferuar shuma të
konsiderueshëm në emër tyre.

Të njëjtat verifikime po kryhen edhe ndaj të afërmve të koleges së tij, 42-vjeçares Mimoza Bruzia, sipas shkresave të përcjella të gjitha bankave të nivelit të dytë dhe institucioneve që regjistrojnë pasuritë. Deri më tani thanë burimet jo zyrtare të organit të akuzës verifikimet janë vendosur ndaj të paktën 20 personave për të provuar dyshimet mbi transferimin e dhjetëra milionëve në emër të tyre nga mbi 700 milionë lekë të deklaruara se janë tërhequr nga arka stok prej Bitrajt.

Paraprakisht burimet i thanë Top Channel-it se Bitraj ka nën pronësi, por me një kredi ende të pashlyer, një apartament në rrugën “Fortuzi“ dhe nën përdorim një automjet, ndërkohë që nga kontrollet deri këtë të hënë nuk rezulton asnjë pasuri tjetër në emër të tij apo të bashkëshortes.

Nga ana tjetër, mes hetimeve që vijojnë të konsiderohen sekret shtetëror, megjithë interesin e lartë për të informuar publikun, Banka e Shqipërisë pritet t‘i bindet një urdhëri shkresor të Prokurorisë e cila kërkon listën e punonjësve në qendrën e emisionit të monedhës në Linzë për llogari të procesit hetimor që synon të marrë në pyetje që nga punonjësit e sigurisë jashtë objektit deri tek punonjës që kishin të drejtën e firmës në këtë godinë.

Aktualisht, prej tre ditësh dy komisione të ngritura nga Banka e Shqipërisë po verifikojnë deklaratat e ish-përgjegjësit e arkës stok, i cili ka pohuar se kishte tërhequr nga 600 deri në 750 milionë lekë, duke kontrolluar paratë e paketuara në dy seksione.

Auditi po kryhet tek arka stok e parave që do të hidheshin në treg, si edhe në sektorin e parave që do të asgjesoheshin. Ndërkohë, për Bitrajn dhe Bruzajn, për të cilët edhe mbajtja e tyre në Drejtorinë e Tiranës është në vijim të veprimeve proceduriale që synojnë ruajtjen e sekretit shtetëror, parashikohet që me shumë mundësi të hetohen edhe për veprën penale të vjedhjes së bankave me pasoja të rënda.

Nga ana e tij, avokati i Bitrajt i është drejtuar me një memo kryeprokurorit të Tiranës Petrit Fusha,   duke i kërkuar që të ndërhyjë pasi edhe pse ka cilësinë e mbrojtësit ligjor të 45-vjeçarit, as organet e rendit dhe as akuza nuk e lejojnë ta takojë klientin e tij.


Top Channel