Skënderbeu barazon në fushën e Bate Borisov

15/07/2014 00:00

Dy sezone më parë në atë stadium u mund edhe Bayern Munich, që atë vit pati sukses të trefishtë, por kampionët e Shqipërisë bën surprizën e madhe, duke e përfunduar 0-0 ndeshjen ndaj vendasve të Bate Borisov dhe duke mbajtur gjallë shpresat për të kaluar në fazën tjetër të Champions League.

Korçarët vinin në këtë ndeshje me disa ndryshime të rëndësishme në formacionin e tyre krahasuar me atë që mbyllën sezonin e fundit.

Një ndër përforcimet më të rëndësishme dhe që ra në sy në lojën e Skënderbeut ishte ish-lojtari i kombëtares, Kristi Vangjeli. Mbrojtja ishte përforcuar edhe me Tefik Osmanin, një tjetër korçar i rikthyer në shtëpi. Mesi i fushës ishte përforcuar me Prognin, ndërsa sulmi me Sefën e ardhur nga Besa.

Në pjesën e parë Skënderbeu bëri një paraqitje të mirë, duke mos i lejuar thuajse në asnjë rast kundërshtarët të godisnin portën e Shehit, por duke krijuar edhe disa mundësi për shënim, të cilat si zakonisht niseshin nga këmbët e kapitenin Shkëmbi.

Në pjesën e dytë vendasit ishin më kërkues, ndërsa kampionët e Shqipërisë u tërhoqën për të mos pësuar gol. Pavarësisht disa rasteve për shënim, lojtarët bjellorusë nuk arritën të gjenin rrjetën fal edhe pritjeve fantastike të Shehit.

Korçarët do të luajnë ndeshjen e kthimit në stadiumin e tyre më 22 korrik në orën 20:00, ku do të kërkojnë të kalojnë në fazën tjetër, megjithëse kundërshtari është i një niveli për t’u mos nënvlerësuar, kujtojmë që vitet e fundit ka arritur dy herë në fazën e grupeve.

Top Channel