Prandelli gjen sërish “strehë”, te Galatasaray

03/07/2014 00:00

“Të hënën nis epoka Prandelli”. Ky ka qenë njoftimi zyrtar i Galatasaray-t, i cili mbante edhe nënshkrimin e presidentit Unal Aysal.

Ish-trajneri i “axurrëve” italianë ka arritur marrëveshje me klubin turk dhe të dielën do të jetë në Stamboll për të përmbyllur gjithçka në praktikë, e për të nisur më pas, të hënën më 7 Korrik, punën me skuadrën e re, e cila kishte parashikuar grumbullimin pikërisht në fillimjavën e ardhshme.

10 ditë pas dështimit në Botëror, italiani i dorëhequr përpara skadencës së kontratës, duke futur në kaos futbollin italian pasi pas tij dha dorëheqjen edhe presidenti i Federatës italiane të Futbollit, Giancarlo Abete, ka gjetur sërish një pankinë për t’u ulur.

Ndoshta mund të kompletohet kështu një “stafetë”, e cila tashmë ka vetëm një degëzim në Turqi, me Roberto Mancini-n, teksa ky i fundit është kandidat për të marrë drejtimin e kombëtares “axurre”.

Kontrata e Prandelli-t me Galatasaray-n parashikon një kuotë fikse prej 2 milionë eurosh në sezon, shtuar këtu bonuset në lidhje me ndeshjet teke (fitoret) si dhe objektivat e arritur. Kohëzgjatja, deri në vitin 2017, pra për 3 vjet.

Top Channel