Raiola: Futbolli italian ka vdekur

27/06/2014 00:00

E gjithë kombëtarja italiane e futbollit është vendosur në qendër të kritikave nga media dhe publiku italian, por ai që është kryeqëzuar më së tepërmi është Mario Balotelli.

Sulmuesi i axurrëve është vënë në qendër të ciklonit të kritikave jo vetëm për atë që dha në fushë, por edhe për reagimet e tij jashtë fushe. E në këtë lumë kritikash është një person që qendron në krah të tij.

Agjenti i Marios, Mino Raiola doli në mbrojtje të klientit të tij dhe shfryu kritika ndaj skemave të Prandellit dhe ndaj futbollit e shoqërisë italiane në përgjithësi.

“Është e turpshme që të kritikosh vetëm Balotellin. Kjo tregon një mungesë objektivitetit që është pasqyrë e një vendi futbolli i të cilit ka vdekur. Vërtet mendonte dikush në Itali se mund të fitonin botërorin?! Unë nuk jam habitur nga ky kapitullim. Në Europë klubet tona nuk fitojnë më, si mund ta bënte kombëtarja në Brazil?”, deklaroi ai.

Sa për zgjedhjet taktike të ish-trajnerit Prandelli, Raiola tha se ato ishin humbëse.

“Në 1982 fituam botërorin me kundërsulm dhe në 2006 me Lippin po ashtu. Por këtë herë u katandisëm duke i varur shpresat vetëm tek një sulmues”, vlerëson ai.

Raiola tha se Balotelli është i dëshpëruar dhe vetëm Galliani ka dalë në krah të tij, ndërsa të tjerët askush s’është bërë i gjallë. Sa i takon të ardhmes? “Mario dëshiron të qendrojë në Milano, por duke iu referuar deklaratave të Barbara Berlusconi-t, nëse për të është i zëvendësueshëm atëherë le të ulemi dhe të flasim; të gjejmë një zgjidhje. I kujtoj asaj se ai pati oferta shumë më të rëndësishme para se të zgjidhte Milanin. Milani ishte zgjedhja e tij e zemrës, për Barbarën s’e di a është e tillë”, thumboi Raiola.

Top Channel