FIFA dënon Suarez; uruguajani humb botërorin

26/06/2014 00:00

FIFA është treguar e ashpër ndaj Luis Suarezit duke e pezulluar sulmuesin uruguajan me nëntë ndeshje kombëtare dhe katër muaj larg çdo aktivitetit futbollistik.

Vendimi i organizmit më të lartë të futbollit botëror mbërriti pas shqyrtimit të pamjeve të incidentit mes uruguajanit dhe mbrojtësit italian, Xhorxho Kielini. Në minutën e 80 të takimit, Suarez kafshoi në shpatullën e majtë mbrojtësin italian, në një incident që i shpëtoi vëzhgimit të gjyqtarit të takimit.

Fill pas kësaj, uruguajanët shënuan golin e fitores 1-0 që i kualifikon ata për në fazën e 1/8, ndërsa Italia u eleminua.

Ky dënim është më i ashpri i dhënë ndonjëherë nga FIFA, rekord që deri më tani mbahej nga italiani Mauro Tassotti i cili në finalet e kupës së botës së 1994-ës në Shtetet e Bashkuara i theu hundën asokohe mesfushorit spanjoll, Luis Enrique.

Top Channel