Sot luhen ndeshjet e fundit në grupe

26/06/2014 00:00

Katër ndeshjet në grupet G e H do të vendosin dhe skuadrat, që do të kalojnë në 1/8-at e finaleve të “Brazil 2014”.

Mediat botërore kanë filluar të hedhin dyshime mbi një marrëveshje të mundshme mes Gjermanisë dhe Amerikës, që sfida mes tyre të përfundojë në barazim, rezultat ky që i kualifikon të dyja, pavarësisht rezultatit të ndeshjes tjetër Portugali-Ganë.

Por, trajnerët e kombëtareve respektive kanë hedhur poshtë këto dyshime, duke premtuar se lojtarët e tyre do të hyjnë në fushë për fitore dhe jo për barazim.

Jurgen Klinsman dhe Joakim Low kanë punuar bashkë për 2 vjet, në kohën kur Gjermania pretendonte të fitonte Botërorin që u zhvillua 8 vjet më parë, në Gjermani. I pari ishte trajneri i kombëtares, ndërsa i dyti zv-trajneri i saj.

Ndryshe është situata për dy ekipet e tjera, të cilat, për të kaluar turin, duhet të fitojnë përballjen direkte mes tyre dhe të shpresojnë në një fitore të thellë të Gjermanisë ndaj Amerikës.

Portugalisë së Ronaldos i duhet një fitore me katër gola diferencë, ndërsa Ganës me 2 gola diferencë, në mënyrë që të nxjerrin jashtë loje Amerikën dhe të ketë njëra prej tyre shansin për t’u kualifikuar në raundin tjetër.

Grupi H

Belgjika është pothuajse e kualifikuar dhe me një barazim do të siguronte përfundimisht vendin e parë në grup. Algjeria do të jetë pjesë e Botërorit, nëse mund ose barazon me Rusinë. Përfaqësuesja e drejtuar nga Capello, i cili është dhe trajneri më i paguar i këtij Botërori, do të kalojë turin vetëm nëse mund afrikanët dhe Korea nuk fiton thellë me Belgjikën.

Top Channel