Holanda në krye të grupit B

23/06/2014 00:00

Grupi B ishte i pari që mbylli ndeshjet e fazës në grupe në këto finale botërori. Dy takimet e para kishin përcaktuar dy skuadrat që do të vazhdonin për më tej dhe dy të tjerat që do të largoheshin.

Vëmendja u përqendrua tek takimi mes Holandës dhe Kilit që luftuan për kreun e grupit ku në fund rezultati nxorri fitues “Tulipanët”. Me një Roben në superformë, skuadra e drejtuar nga Van Gaal fitoi 2-0 me dy gola të shënuar në pjesën e dytë të takimit nga Fer dhe Depay.

Pas dy humbjeve ndaj Holandës dhe Kilit, kampionët e shkurorëzuar të Spanjës, fituan në takimin e tretë përballë Australisë me rezultatin 3-0, fitore që vlen sa për statistikë për spanjollët që mbyllin parakohe aventurën e tyre në mbrojtje të titullit.

Në orën 22:00 luhen dy takimet e vlefshme për grupin A. Brazili i kualifikuar do të luajë kundër Kamerunit, ndërsa Kroacia do të luajë ndeshjen vendimtare me Meksikën. Në varësi të rezultateve të këtyre dy takimeve do të përcaktohen edhe çiftet e para të fazës tjetër. Nëse Brazili ruan kreun e grupit A, ai shmang Holandën dhe përballet me Kilin.

Top Channel