Elbasan, aksidentohet për vdekje 62-vjeçari

07/06/2014 00:00

Një aksident me pasojë vdekjen e një 62-vjeçari është regjistruar mesditën e së shtunës në aksin Elbasan-Librazhd.

Sic bën me dije Policia e Elbasanit, një mjet tip Fiat, i cili levizte nga Elbasani në drejtim të Librazhdit është përplasur me një motoçikletë ku për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i motoçikletës, shtetasi Lavdim Lufa.

62-vjecari ka qenë për peshkim në lumin Shkumbin, më pas me motoçikletën e tij është përpjekur të hyjë nga rruga dytësore në atë kryesore ku edhe është marrë përpara për disa metra nga mjeti tip Fiat me targa AA 673 IC.

Drejtuesi i mjetit ka pritur në vendngjarje deri në mbërritjen e efektivëve të policisë të cilët kanë bërë shoqërimin e tij për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Informacionet paraprake bëjnë përgjegjës për aksidentin viktimën, i cili ka hyrë në autostradë pa e kontrolluar më parë atë, ndërkohë që sipas të dhënave të para drejtuesi i mjetit nuk kishte fushë-pamje të mjaftueshme që të mund të frenonte, për pasojë përplasja mes tyre ka qenë fatale.

Një ditë më parë, një 33-vjeçar, baba i dy fëmijëve ka humbur jetën në një tjetër aksident të ndodhur në Shëngjin. Viktima i identifikuar si Fredi Kaçorri ka gjetur vdekjen pas përplasjes së fortë të automjetit të tij me murin rrethues të një lokali.

Shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën po lëvizte mjeti, që dëshmohet edhe nga dëmi i madh i shkaktuar makinës, aq sa është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të prerë pjesët metalike të saj e për të nxjerrë prej andej trupin e pajetë të 33-vjeçarit.

Top Channel