F1, marrëdhënia Rosberg-Hamilton

06/06/2014 00:00

Nico Rosberg deklaroi se marrëdhënia e tij me shokun e skuadrës Lewis Hamilton është më e vështirë pas asaj që ndodhi në Cmimin e Madh të Monakos, kur gjermani doli nga pista gjatë provave zyrtare duke mos lejuar britanikun të regjistronte në xhiron e fundit një kohë të shpejtë e duke ruajtur kështu pole position-in që i lehtësoi fitoren në garën e së dielës.

“Është një marrëdhënie më e vështirë, por jo ndryshe. Gjithmonë kemi pasur periudha të tilla, por kemi 15 vite që njihemi dhe kemi respekt për njëri-tjetrin”, tha Rosberg në prag të Cmimit të Madh të Kanadasë.

“Gjithmonë kemi folur dhe i kemi zgjidhur problemet. Këtë do të bëjmë edhe kësaj radhe”, shtoi gjermani i Mercedesit.

Ai nënvizoi se fakti që për fitoren aktualisht lufton vetëm ai me shokun e skuadrës, e vështirëson marrëdhënien: “Do të luftojmë për çdo fitore dhe gjërat vështirësohen garë pas gare. E kuptoj që ju gazetarët duhet të shkruani, por unë dua të shmang polemikat.”

Top Channel