Brazil2014, Italia humbet Montolivon

01/06/2014 00:00

Më shumë se sa barazimi i shëmtuar 0-0 kundër Irlandës të zhvilluar në stadiumin e Fulhamit në Londër, Prandelli merakoset për zëvendësuesin e Montolivos në botërorin e Brazilit që është në prag.

Kur kanë mbetur 11 ditë nga nisja e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik global, Italia goditet në një nga pikat e saj më të forta taktike. Mesfushori dhe kapiteni i Milanit, pak minuta nga nisja e takimit dëmtohet dhe braktis ndeshjen.

Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një dëmtim të lehtë, por pas verifikimeve mjekët e katër herë kampionëve të botës thanë se Montolivo nuk do të mund të luajë në botërorin e Brazilit.

E këtu nis dhimbja e kokës për Prandellin. Zëvendësuesi i kapitenit të Milanit, Aquilani nuk ofron garanci, dhe këtë e tregoi edhe ndeshjen e së shtunës ndaj Irlandës ku ritmi i lojës ndryshoi krejtësisht.

Top Channel