Dëmshpërblimet për ish të përndjekurit

17/04/2014 00:00

Bari Grabova, sot 80 vjeç, ka marrë këstin e parë të dëmshpërblimit për 8 vitet e burgut që ka kaluar gjatë regjimit komunist.

Ai është përzgjedhur nga Ministria e Mirëqenies Sociale në grupin e 54 ish-të përndjekurve politikë, që do të përfitojnë këstet e para të dëmshpërblimit, të cilat nuk i morën gjatë 23 viteve nga qeveritë e kaluara.

Në fjalën e tij, i moshuari tha se rrjedh nga një familje e dënuar nga diktatura, që nga gjyshi, i ati e të gjithë të afërmit me mbiemrin Grabova. Ai tha se në 23 vite plularizëm nuk mori asgjë si dëmshpërblim, për vuajtjet në burgjet e diktaturës.

“Është shumë e rëndësishme për të gjithë ata që janë cinikë dhe që na ndjekin, që ky nuk është një shpërblim, por është një dëmshpërblim, sepse disa njerëzve u është bërë një dëm. Dhe shumë prej të mirave publike që ne kemi sot në Shqipëri, prej infrastrukturës, është bërë pa pagesë nga njerëz që kanë punuar nën dhunë dhe nën detyrim. Kështu që do të doja të kisha mirëkuptimin e të gjithë taksapaguesve, sepse unë e di ndjeshmërinë publike, e di që njerëzit thonë hallet nuk kanë fund, përse ata dhe jo ne, megjithatë kjo është diçka që duhet të ndodhte”, u shpreh ministri Erion Veliaj.

Sipas vendimit të qeverisë, brenda muajit Gusht do të shpërndahet kësti i parë i dëmshpërblimit për të gjithë ata ish-të përndjekur, që nuk kanë marrë asgjë si dëmshpërblim për vitet e burgut. E, po gjatë këtij viti, do të bëhen ndryshime në ligj për kriteret e përfitimit të dëmshpërblimit. Sipas ministrit Veliaj, prioritet do të kenë ish-të përndjekurit që janë ende gjallë.

Nga 560 ish-të përndjekur, që do të përfitojnë këtë vit këstin e parë të dëmshpërblimit, 180 prej tyre janë mbi 85 vjeç.

Top Channel