
Sipas rregullave të Parlamentit holandez, në një seancë publike, dy ministrat shqiptarë folën për mëse një orë mbi rezultatet e freskuara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, mbrojtjen sociale dhe integrimin e minoriteteve, veçanërisht për komunitetin rom, për garantimin e të drejtave themelore, përfshirë lirinë e medias, si dhe bashkëpunimin rajonal, në përpjekje për të bindur Hagën se Shqipëria meriton statusin kandidat në BE.
“Nëse do të isha gazetare kritike për ato çështje që ju nuk i keni përmbushur, për çfarë do të shkruaja?”, ishte pyetja që parashtroi Marit Maij, deputete e PVDA.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dha një përgjigje të gjatë. “Ne s’jemi këtu për t’ju thënë se kemi bërë progres të dukshëm, por ju nuk jeni në gjëndje ta shihni këtë progres. Nuk po ju themi se jemi përfaqësuesit perfekt. Po përqemi të japim mesazhin se ne po luajmë sipas rregullave të lojës. Po bëjmë çfarë mundemi për ta sjellë vendin në ujrat e BE-së, në përputhje me rregulloren për zgjerimin.
Ka ende shumë fusha ku progresi kërkohet, e kjo është një e vërtetë edhe për Holandën, Britaninë, SHBA-të, Japoninë e çdo vend tjetër në botë. Por besoj se Shqipëria mund të konsiderohet ende këtë vit si një histori suksesi për çfarë ka bërë nga dhjetori 2012 deri në dhjetor 2013.
Ky proces politik duhet njohur sepse ishte në krye të axhendës, nëse i referohem përfundimeve të Këshillit të BE-së vitin e kaluar, kishte dy paragrafe për zgjedhjet dhe ato u konsideruan si test kyç për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Këto zhvillime nuk mund të kapërcehen. Duhen vërejtur me gjeste e veprime konkrete.
Tashmë kemi një situatë ku Kroacia është anëtare, Serbia dhe Kosova dhanë shkëndijat me marrveshjen e gur-kufijve, Mali i Zi ka nisur negociatat dhe Serbia së shpejti pret uljen në të njëjtën tryezë, ndërsa ne po luftojmë me statusin kandidat. Nuk mund ta marrim këtë si dhuratë, por nevojitet ky ankorim në BE, sepse është kyçe për axhendën transformuese, por dhe për BE-në.
Kur ne flasim për bashkëpunimin me fqinjët tanë për krimin e organizuar dhe korrupsionin, çfarë reference merret? Nuk është rajoni referencë, por kapitujt 23 dhe 24, dhe Kroacia, sepse ka bërë dukshëm atë që shumë vende të BE-së dështuan ta bënin, me të ashtuquajturën “sanaderizim të shoqërisë”. Prandaj nevojitet që kjo perspektivë të kthehet në instrument. Përndryshe ne mund të humbasim këtë vrull dhe BE mund të humbasë magjinë e saj dhe efektin magnetik tek qytetarët.
Ne përfaqësojmë një vend ku më shumë se 80% e qytetarëve kanë shumë shpresa te ky proçes dhe e mbështesin disi. Nuk presim drekë falas për këtë, po themi le ta bëjmë si holandezët. E luajmë si holandezët, por t’u përmbahemi rregullave që janë shkruar në gur prej jush,për ne,dhe për këtë ju jemi mirënjohës”, deklaroi Bushati.
Ndërsa ministrja e integrimit, Klajda Gjosha përmendi gjatë takimit se të pranishmëve iu ishte shpërndarë një dosje e përpiluar enkas me të dhënat e fundit për përpjekjet e qeverisë dhe parlamentit mbi çështjet sensitive dhe drejtuesi i seancës premtoi se informacioni do t’i përcillej të gjithë kolegëve përpara se të vendosej për Shqipërinë në Komitetin për çështjet europiane të parlamentit holandez. Palët ranë dakort për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy vendeve, përtej vendimit të 17 dhjetorit nga BE.
Top Channel