Rreth orës 8:00 ka filluar mbajtja e Liturgjisë së Shenjtë, si çdo të dielë, në kishën e Shën Marisë së Pazarit, në qytetin e Përmetit, nën drejtimin e ikonomëve Athanas Qerimi e Vasil Thomollari.

Mesha, këtë radhë u mbajt në shëtitoren përballë Shtëpisë së Kulturës, e cila sot ishte rrethuar me forca të shumta policie, private dhe nga komisariatet Përmet e Gjirokastër.

Në meshë merrnin pjesë pak besimtarë, jo si të dielat e zakonshme, kur pjesëmarrja ka qenë më e lartë dhe mesha zhvillohej në ambientet e brendshme të ndërtesës.

Pas riteve fetare dhe ndarjes se bukës së bekuar, ikonom Athanas Qerimi mbajti një deklaratë në fund të meshës, ku bëri me dije se kisha s’do heqë dorë nga prona e saj në asnjë mënyrë.

Ai iu drejtua, në emër të kishës, të gjithë atyre që vunë dorë mbi kishën, duke thënë se kanë fëmijë për të rritur dhe të shikojnë familjet e tyre, ndërsa u kërkoi besimtarëve të mblidhen çdo ditë në shëtitore, për të kryer ritet fetare, duke filluar nga dita e nesërme.

Mitropolia, akuza shtetit
“Po përdhoset kisha dhe ortodoksia. Nuk do të heshtim”

Prishja e Kishës së Shën Marisë, në qytetin e Përmetit, ka sjellë edhe reagimin e Mitropolisë së Korçës dhe komunitetit ortodoks të këtij qyteti.

Përmes një deklarate, Mitropolia ka shprehur indinjatën, për atë që e ka cilësuar si të barabartë me sulmet e qeverisë komuniste mbi besimet fetare dhe vendet e shenjta, dhe apeloi që organet shtetërore të jenë të ndjeshme dhe të drejta ndaj komunitetit ortodoks.

“Në emër të të gjithë komunitetit ortodoks të dioqezës sonë, shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj këtij agresioni kundër kishës ortodokse, që në ngjarjen e kishës në Përmet mori një përshkallëzim të rrezikshëm, duke lënduar ortodoksët e Shqipërisë dhe duke dëmtuar imazhin e vendit tonë”, tha Ksenofon Ilia Kotnani.

Mitropolia i është drejtuar me disa kërkesa autoriteteve shtetërore, duke thënë se do të vazhdojë të kërkojë të mbështesë kishën e Shën Mërisë në Përmet.

“Këto veprime, nëse nuk ndalen, mund të kenë pasoja të rënda për harmoninë dhe kohezionin e shoqërisë sonë. Kërkojmë që ngjarja të pasqyrohet me drejtësi dhe vërtetësi. Nuk është kisha, ajo që ka zaptuar Pallatin e Kulturës, por e kundërta, sepse ai pallat u ndërtua mbi kishën dhe pronën e saj. Kërkojmë që organet shtetërore të jenë të ndjeshme dhe të drejtë ndaj komunitetit ortodoks. Nuk mund të tjetërsohen vendet e shenjta, me makinacione ligjore, duke krijuar ligje që janë në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare”, shtoi Ksenofon Ilia Kotnani.

Pak ditë më parë, ekzekutimi i vendimit të gjykatës, për rikthimin ndaj Bashkisë të ndërtesës së Pallatit të Kulturës, brenda së cilës ishte ndërtuar kisha, shkaktoi një përplasje mes priftërinjve dhe policisë, që mbështeti zyrën e Përmbarimit në ekzekutimin e vendimit.

Në mbështetje të kishës
Deklarata e klerikëve dhe bestimtarëve të Beratit

Një deklaratë për çështjen e kishës së Shën Mërisë në Përmet është bërë edhe nga klerikët dhe një grup besimtarësh ortodoksë në qytetin e Beratit.

“Na bën përshtypje të pakëndshme fakti se, prej më shumë se 16 viteve, është bërë një ballafaqim serioz midis besimtarëve përmetarë dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor, që kjo godinë t’i kthehet kishës së ngritur prej shekujsh, me emrin “Shën Maria e Pazarit”. Deri më sot, nuk është zgjidhur plotësisht kjo kërkesë e klerikëve dhe të krishterëve përmetarë. Për më tepër, tani veprohet me dhunë për ta marrë këtë tempull të shenjtë, ku njerëzit gjejnë paqe shpirtërore. Nuk pajtohemi kategorikisht me këto veprime anti-fetare dhe kërkojmë me të drejtë, që qeveria të ndërhyjë fuqimisht për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi kaq delikat, duke plotësuar këtë kërkesë të ligjshme”.

 

Top Channel