Presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se nuk ka
ndërment të nisë një konflikt të armatosur për veriun e Kosovës.

Sipas raportimeve të “RTK”, Nikoliç ka shprehur bindjen se në këtë drejtim ai do të ketë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, pasi në të kundërt do të krijoheshin shumë probeme në rajon e më gjerë.

“Lufta për mua nuk është një opsion i afërt. Unë do të bëj çdo përpjekje për të shmangur çdo lloj konflikti të armatosur për zgjidhjen e këtij problemi”, ka deklaruar Nikoliç.

“Jam i sigurt se edhe bashkësia ndërkombëtare nuk do të rrijë duarkryq, pasi kjo do të ishte një situatë që do të gjeneronte një varg problemesh serioze”, ka vijuar komandanti i përgjithshëm i ushtrisë serbe.

Kryetari i dorëhequr i Partisë Progresiste ka shprehur besimin se problemi në fjalë do të zgjidhet me mjete paqësore, të cilat do të mbrojnë interesat dhe sigurinë e popullit serb në Kosovë.

Më tej ai ka riafirmuar qëndrimin e tij se, do të vazhdojë rrugën evropiane për Serbinë, por do të heqë dorë nga kjo nëse çmimi i integrimit do të jetë Kosova.

“BE-ja është e ardhmja e Serbisë, por kemi edhe detyrimin kushtetues që të ruajmë Kosovën dhe në atë hapësirë të ngushtë do të kërkojmë një rrugë tjetër”, ka shtuar Nikoliç.

Top Channel