Dy partitë kryesore shqiptare në Maqedoni, PDSH dhe BDI kanë replikuar ashpër me njëra-tjetrën lidhur me mundësinë e partisë së Menduh Thacit për të bërë aleancë me një tjetër parti opozitare shqiptare.

Deklarata e Ali Ahmetit, se mirëpret mundësinë e bashkëpunimit mes PDSH-së dhe RDK-së nuk është pritur mirë nga ana e Thacit, i cili e ka cilësuar deklaratën si “hipokrite”.

“Mendoj se qëndrimi i zotit Ahmeti është hipokrit. Ai nxjerr funksionarët e tjerë që të shajnë dhe fyejnë mundësinë e një marrëveshjeje mes nesh dhe RDK-së, ndërkohë që vetë hiqet si ëngjëll”, ka deklaruar Thaci.

Ai ka theksuar se, Ahmeti duhet të merret më tepër me kryeministrin Gruevski dhe VMRO-në, si dhe të përmbushë detyrimet për të cilat u zgjodh nga komuniteti shqiptar.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar duke e cilësuar deklaratën e Menduh Thacit si një reagim “të vrazhdë”.

“BDI shpreh keqardhje të thellë për reagimin e vrazhdë të kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaci, ndaj deklaratave dashamirëse të zotit Ali Ahmeti, i cili e përshëndeti këtë nismë”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Megjithatë, në emër të kryetarit Ahmeti, BDI i ka përshëndetur bisedimet dhe punën që PDSH dhe RDK mund të bëjnë së bashku, “por urojmë që të qëndrojnë bashkë dhe të mos bashkohen për t’u ndarë”.

Top Channel