Rusia: Mjaft me ultimatume ndaj Sirisë

29/11/2011 16:20

Rusia reagoi ashpër ndaj ultimatumeve të reja të perëndimit ndaj Sirisë, duke thënë se presioni ndaj presidentit Bashar al-Assad ka tejkaluar retorikën normale të thirrjeve ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, në një deklaratë gjatë së martës, theksoi se deklarata të tilla vetëm sa largojnë gjithmonë e më shumë Damaskun zyrtar nga tryeza e bisedimeve, duke zgjatur vuajtjet e popullit sirian.

Deklarata e Kremlinit erdhi pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara i klasifikoi si “krime kundër njerëzimit” shtypjen e revoltave që po ndodhin në vend. Ditën e hënë, Turqia gjithashtu rriti presionin e saj ndaj vendit fqinj, duke deklaruar se po merr në konsideratë mundësinë e formimit të një “xhepi” pranë kufirit, për të mbrojtur shtetasit sirianë.

”Për momentin, gjëja më e rëndësishme është që të ndërpresim politikën e ultimatumeve dhe të përpiqemi të avancojmë drejt një dialogu politik”, deklaroi Lavrov.

Duke folur nga Moska, Ministri i Jashtëm kritikoi sugjerimin për vendosjen e një embargo armësh ndaj autoriteteve, me justifikimin se një lëvizje e tillë ndërsa do të bllokonte shtetin, do të shërbente për të armatosur rebelët.

”Të gjithë e pamë se si funksionoi në Libi më parë gjatë vitit, kur u ra dakord për vendosjen e një embargoje armësh. Ndërsa autoritetet nuk mund të blinin armë, opozita u armatos gjithmonë e më shumë, derisa vendi u zhyt në një konflikt të përgjakshëm civil. Nuk duam që diçka e tillë të ndodhë edhe në Siri”, përfundoi Lavrov.

Gjatë muajit tetor, Rusia dhe Kina bllokuan në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një rezolutë që dënonte dhunën në Siri. Më shumë se 3 500 persona kanë humbur jetën në ballafaqimin me forcat qeveritare që prej marsit, është vlerësimi i ndërkombëtarëve.

Top Channel