OKB: Në Siri, krime kundër njerëzimit

28/11/2011 00:00

“Ushtria siriane ka kryer krime kundër njerëzimit, në shtypjen e vazhdueshmë të përleshjeve anti-qeveritare”. Ky është përfundimi i raportit i OKB-së, i cili përmban edhe akuza për vrasje, tortura dhe përdhunime të civilëve. 

Komisioni me tre anetarë, publikoi raportin prej 39 faqesh, në një konference për shtyp në Gjenevë të Zvicrës. “Komisioni është shumë i shqetesuar që krimet kundër njerezimit janë kryer në disa zona të Sirisë”.

Komisioni kishte marrë në pyetje 233 deshmitare dhe ushtarë dezertorë për të hetuar shkeljet kundër të Drejtave të Njeriut, nga fundi i shtatorit deri në mesin e Nëntorit 2011.

Disa nga të pyeturit treguan se kishin marrë urdhrin: “Qëlloni dhe vrisni  protestuesit”.

Megjithatë, anëtarët e Komisionit pranuan se u ishte mohuar të hynin në Siri. Një prej ushtarëve dezertorë tregoi se pas këtij urdhri kishte qëlluar në ajër dhe kishte përfunduar në pranga, rrahur dhe torturuar.

Në raport akuzohen forcat e sigurisë, të cilat kanë vrare 256 fëmijë, gjatë protestave.Komisioni kërkoi t’i jepet fund dhunës si dhe të ndëshkohen përgjegjesit për krimet e kryera.

Deri tani, Siria nuk ka bashkëpunuar me asnjë komision të OKB-së.  Mbi 3500 persona kanë humbur jetën në Siri, prej protestave. Kjo shifër e publikuar nga organizata e kombeve të Bashkuara nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, sepse mediave ndërkombetare u është ndaluar të shkelin në territorin e Sirisë.

Franca: Al-Assad i ka ditët e numëruara

Ministri i Jashtëm i Francës, Alain Juppe, i cilësoi si të “numëruara”
ditët e qeverisë siriane, pasi Liga Arabe vendosi sanksione të ashpra
ndaj vendit për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave.

Liga aprovoi gjatë së dielës masa të ashpra ekonomike, përfshi ngrirjen e të gjitha aseteve siriane, bllokimin e investimeve apo moslejimin e hyrjes në vend të zyrtarëve të lartë të Damaskut zyrtar.

Më shumë se 3 500 persona kanë humbur jetën në protestat për më shumë të drejta demokratike dhe liri që kanë filluar që në muajin mars, por qeveria e presidentit Bashar al-Assad vazhdon të fajësojë për këto ngjarje grupet militante dhe bandat e sponsorizuara nga perëndimi.

Në një emision në një radio franceze, Ministri Juppe deklaroi gjatë të hënës se: “Siria ka mbetur tërësisht e izoluar dhe ditët e presidenti al-Assad janë të numëruara. Për fat të keq, gjërat kishin ecur ngadalë deri tani, por vendimi i Ligës Arabe përbën një goditje të madhe për Damaskun. Pas perëndimit, ngrirja e marrëdhënieve me vendet e tjera arabe e lë Sirinë krejtësisht të izoluar”.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur më parë sanksione ndaj Sirisë. Megjithatë, një rezolutë që dënonte ashpër dhunën në vend u bllokua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga Rusia dhe Kina, gjatë muajit tetor. Sipas dy superfuqive, rezoluta i hapte rrugën një ndërhyrje ushtarake të ngjashme me atë të Libisë.

Ndërkohë, sipas aktivistëve, 11 persona të tjerë humbën jetën gjatë të hënës, në përleshjet që vazhdojnë midis autoriteteve dhe protestuesve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA