KE, kritika të ashpra qeverisë

10/11/2010 00:55

Në një analizë të hollësishme mbi gatishmërinë e vendit për të fituar statusin kandidat, Komisioni vlerëson se në Shqipëri nuk ka funksionim të duhur të demokracisë.

1- Cilësia e ligjeve

Cilësia e legjislacionit që kalohet nuk ka qenë gjithmonë e një standarti të duhur“, thuhet në raportin e komisionit.

Në mënyrë të detajuar, kritikohet ashpër mënyra e funksionimit të Kuvendit.
 
2- Parlamenti

Pozita e kryetarit të parlamenit është keqpërdorur, në veçanti nga ushtrimi i ndikuar disproporcional mbi proçesin e bërjes së axhendës legjislative nën imponim të shpeshtë të vendimeve afatshkurtra në kundërshtim me vendimet e marra bashkërisht në konferencën e kryetarëve

Pavarësisht dispozitave kushtetuese, ka mungesë të mbikqyrjes efikase të parlamentit mbi ekzekutivin dhe Kuvendi nuk funksionon si institucion i pavarur. Interpelanca e seanca pyetjesh përdoren rrallë, ndërsa pyetjet me shkrim zor se janë dorëzuar ndonjëherë.

Ekziston një kulturë e fortë e politikës partizane duke polarizuar qendrimet në parlament, çfarë pengon funksionimin e duhur të Kuvendit dhe komisioneve të tij. Komisionet hetimore kanë qenë shpesh forume grindjesh partiake, në vend që të ishin instrumente për mbikqyrjen parlamentare, dhe rrallë kanë prodhuar ndonjë rezultat, për pasojë ndikimi i tyre ka qenë i kufizuar në politikat e qeverisë. Ka pak konsensus mes partive në parlament në lidhje me standartet dhe funksionimin e tij“, shprehet për funksionimin e Kuvendit në raportin e tij komisioni.
 
Qendrimi partiak në parlament vlerësohet se është thelluar për shkak të ngërçit politik të krijuar që pas zgjedhjeve të qershorit 2009.  
 
3- Qeveria dhe opozita

Partia Socialiste opozitare bojkotoi punën parlamentare për periudha të gjata që pas zgjedhjeve, duke bërë thirrje për transparencë dhe hetim të parregullësive në zgjedhje. Qeveria nga ana e saj nuk ka treguar gatishmëri për kompromis mbi propozimet për kapërcimin e bllokimit politik të bërë nga Partia Socialiste. Si rezultat, dialogu politik është përkeqësuar me tej, duke u bërë më shumë konfrontues dhe joproduktiv“, thuhet më tej në raport.
 
4- Ngerçi

Ngërçi politik po dëmton funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe po lë në hije reformat e rëndësishme, që janë të domosdoshme për progresin e vendit në integrimin europian dhe për shtetin ligjor“, vlerëson komisioni.
 
 
Në dokument përmendet fakti se Presidenti i Republikës nuk ishte në gjendje të përmbushte rolin e tij kushtetues për garantimin e konsensusit, por në anën tjetër vlerësohet si shqetësuese politizimi i votimit për emërimet e Presidentit për Gjykatën Kushtetuese.  
 
Mungesa e transparencës në financimin e partive politike, e cila mundëson influencimin jo të duhur në politikë, është një problem i konsiderueshëm“, thuhet në raportin e detajuar.

5- Gjyqësori, shëndetësia, ekonomia…

Në sistemin gjyqësor vlerësohet se ka korrupsion, mungon transparenca dhe përgjegjshmëria në shumë proçedura dhe efiçenca në përgjithësi për sistemin e drejtësisë.

Zbatimi i duhur i kuadrit ligjor është shqetësues dhe shërbimi publik është shumë i politizuar. Ka mungesa të trasparencës në emërime dhe përkufizohet me zëvendësime të mëdha të stafit.
 
Fushat që përbëjnë shqetësim të veçantë janë ato të korrupsionit në gjyqësor dhe në lidhje me sistemin e kthimit dhe kompensimit të pronave si dhe ryshfetet e përhapura gjërësisht në sektorin e shëndetësisë.

Dobësia e shtetit ligjor dëmton klimën e biznesit, transferimin e pronësisë dhe njohja e të drejtave të pronësisë mbetet një problem serioz. Sistemi arsimor mbetet i paaftë për të pajisur krahun e punës me zotësite e duhura për t’iu përshtatur ndryshimeve në treg. Infrastruktura kërkon investime të mëtejshme dhe hapa rregullatore e institucionale nevojiten për të garantuar një furnizim të qendrueshëm me energji. Ekonomia informale mbetet sfidë e rëndësishme“, përfundon raporti i detajuar i komisionit.

Në vlerësim përmendet dhe pavarësia e medias, e cila  përdoret si instrument për propagandë politike apo influencohet nga bizneset. Vendimet e gjyqësorit për gjoba selektive dhe jo proporcionale ndaj medias për çështje që lidhen me politikanë, përbejne shqetësim sipas dokumentit të komisionit për Shqipërinë.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel