PS, drejt betimit në Kuvend?

22/02/2010 08:10

Negociatat që do të zhvillohen sot dhe nesër, do të jenë përcaktuese për veprimet e mëtejshme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Nëse do të arrihet gjetja e një formule kompromisi midis mazhorancës dhe opozitës, hyrja e deputetëve në Kuvend do të ishte krejt e justifikueshme.

Përtej kësaj situate, opozita ka gati një plan tjetër rezervë, nëse bisedimet e sotme dhe të nesërme me të dërguarit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk do të funksionojnë siç duhet.

Plani

Delegacioni i Asamblesë së Këshillit të Europës do të zhvillojë sot takim me kreun e opozitës, Edi Rama, me përfaqësuesit e mazhorancës dhe kreun e shtetit. Burimet konfidenciale brenda selisë rozë sqaruan se “ende nuk ka një vendim zyrtar nëse do të futemi në seancën e ditës së enjte apo jo”.

Sakaq, mësohet se gjithçka do të sqarohet ditën e martë, kur edhe delegacioni ndërkombëtar do të mbajë një konferencë shtypi për të deklaruar rezultatet e vizitës. Nëse gjithçka do të ketë funksionuar më së miri, grupi parlamentar mund të futet në seancën e së enjtes për të bërë betimin.

Po sipas burimeve, ka shumë gjasa që kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, t’u ofrojë sot të dërguarve të KiE-së gatishmërinë e tij për të mos thelluar krizën politike, duke dërguar deputetët në Kuvend për të bërë betimin. Veprim që do t’u jepte fund edhe polemikave në lidhje me ndërprerjen e mandatit dhe zëvendësimin e deputetëve të Partisë Socialiste. Kryerja e betimit të deputetëve të selisë rozë mund të paraqitet si një lëshim në raport me krizën politike, por do të forcohet qëndrimi mbi kutitë e votimit.

Pra, kreu i socialistëve do t’i dërgojë deputetët për të bërë betimin dhe në mungesë të marrëveshjes do t’i nxjerrë ata sërish jashtë Kuvendit. Në një pozicion të tillë, grupi parlamentar i socialistëve do të insistojë tek arritja e një marrëveshjeje që domosdo nënkupton hapjen e kutive të votimit.

Çarja

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, është i pari që ka deklaruar se javën e parë të muajit mars do të jetë i pranishëm në Kuvend për të bërë betimin. Veprim ky që është paralajmëruar të ndërmerret pavarësisht vendimit zyrtar të lidershipit të socialistëve.

Me këtë qëndrim janë bashkuar edhe disa deputetë të tjerë të asaj çka cilësohet Lëvizje për Mendimin Ndryshe në selinë rozë. Hyrja në Kuvend është deklaruar nga Andis Harasani, Kastriot Islami, Marko Bello, ndërsa më i rezervuar ka qenë deputeti dhe anëtari i kryesisë, Arben Malaj.

Sipas asaj çka ka deklaruar Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, përmes një letre zyrtare drejtuar deputetëve socialistë, kalendari i seancave është i qartë. Data 25 shkurt përkon me seancën e parafundit që është në dispozicion të deputetëve socialistë të mandatuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Data 4 mars është afati final, pas të cilit deputetët socialistë do të humbasin mandatin nëse nuk paraqiten për të bërë betimin. Nëse lidershipi i selisë rozë do të vendosë që të betohet e më pas të rivazhdojë bojkotin e Kuvendit, ka shumë gjasa të shënohet çarja e parë zyrtare në grupin parlamentar. Një grup deputetësh janë të gatshëm të mos dalin më nga Kuvendi, pasi të bëhet betimi.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta