Në studion e emisionit “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Erjona Rusi dhe Florian Gjini, ishin të futar me anë të një lidhjeje në “Skype”, një grup mjekësh.

Mjekët të gjithë njëzëri përshëndetën vendimin e dërgimit të 30 personave të stafit mjekësor, që u drejtuan drejt Italisë, për t’i ardhur në ndihmë situatës kaotike që po kalon Italia, si pasojë e koronavirusit. Mjeku i njohur Tritan Shehu, u shpreh se ky akt i personelit mjekësor është një akt heroik, duke nxjerrë në pah në këtë mënyrë solidaritetin e popullit tonë.

“Ne me 30 mjekët tanë nuk është se i bëjmë diçka Italisë, sepse ata kanë mijëra mjekë. Por kjo është një kurajo që të kalojnë këtë të keqe dhe një apel drejt vendeve evropiane që të aplikojnë të njejtën gjë në një situatë si kjo. Së pari nuk duhet të krijohen keqkuptime. Është një gjest i jashtëzakonshëm, është një gjest që tregon një miqësi mijëravjeçare mes Italisë dhe Shqipërisë. Italia vendi fqinj është një mik shumë i ngushtë, ata mjek të rinj që kanë shkuar janë shumë të mrekullueshëm. Shkuan me vullnet të lirë, si vullnetarë. Ata janë vullnetarë dhe shkuan për të treguar solidaritetin e popullit tonë shqiptar. Shkuan pasi dëgjuan thirrjen e qeverisë italiane për mjekë nga vendet e huaja. Qeveria tha që shkuan për rrogën, ata nuk shkuan për rrogën ato shkuan si misionarë dhe jo si mercenarë.”

Një koment në lidhje me këtë nismë solidare të mjekëve të vendit tonë, kishte edhe mjekja Lajla Përnaska”

“Statusin tim në rrjete sociale unë e kam titulluar “miku i mirë në ditë të vështira”. Lëvizja që ka bërë qeveria është një lëvizje taktike e mençur. Unë mendoj që kjo situatë na dha oksigjen, duke na rigjeneruar një akt të gjatë ndjenjash, ndërthurur me shpresë, besim dhe mirënjohje shumë të thellë, për atë grup specialistës që u bënë pjesë e kësaj iniciative”, u shpreh mjekja.

Top Channel