DURRËS- Është shënuar viktima e parë nga koronavirusi në Shqipëri. 

Ajo është e moshuara që rezultoi rasti i parë  i infektuar në qytetin Durrësit.  Ditën e sotme 73-vjeçarja ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Mjekët e spitalit të Durrësit fillimisht kanë tentuar që ta trnsportojnë të moshuarën drejt Tiranës por gjendja e saj është rënduar akoma më shumë dhe kjo i ka detyruar që ta rikthejnë në spital.

Ndërkohë kamera e Top Channel ka filmuar të gjithë tentativën e mjekëve për t’i ardhur në ndihmë 73-vjeçares. Në video shihet se ajo fillimisht ajo nxirret nga spitali dhe ngjitet në ambulancë. Por në mënyrë krejt të papritur, pasi mjekët e futën në autoambulancë për ta çuar në Tiranë 73-vjeçaren e prekur nga koronavirusi, e kanë nxjerrë sërish nga ambulanca dhe e kanë rikthyer brenda ambienteve të spitalit të Durrësit për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të moshuarës. 73-vjeçarja edhe pse u rikthyer sërish në reanimacion nuk ishte në gjendje të mbijetonte duke ndërrua kështu jetë.

Në lidhje më këtë rast ka reaguar edhe ministria e Shëndetësisë ku njoftojnë:

“Pacientja 73 vjeçare e konfirmuar me COVID-19 ka ndërruar jetë pak minuta më parë nga komplikacionet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare.

73-vjecarja vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese: Insuficience kardiake kronike, SPOK, Nyha III, Fibrilation atrial, hypertyreisis, tatus post by pass.”

Ndërkohë në vendin tonë janë shënuar edhe dy raste të prekura gjatë 24-orëve të fundit. Tashmë numri total i të prekurve nga koronavirusi është 12 ndërsa po kontrollohen dhjetëra të tjerë kryesisht që kanë pasur kontakte me pacientët tashmë të konfirmuara.

Top Channel