“Do të marrim rolin e ‘rojeve’ të Hormuzit”/ Trump: Ngushtica mbetet e hapur, por do të rivendosim bllokadën iraniane

13/07/2026 16:41

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se SHBA do të rivendosë bllokadën ndaj porteve iraniane, përmes një postimi në platformën Truth Social.

Në deklaratën e tij, Trump theksoi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për lundrimin ndërkombëtar, ndërsa masat do të synojnë vetëm Iranin.

“Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe do të mbetet e hapur, me ose pa Iranin. Ne po rivendosim bllokadën iraniane, e cila do të ndalojë vetëm anijet ose klientët e Iranit të hyjnë ose të dalin. Të gjitha vendet e tjera do të kenë përdorim të lirë dhe të hapur të ngushticës”, shkroi ai.

Trump shtoi se Shtetet e Bashkuara do të marrin rolin e “Rojeve të Ngushticës së Hormuzit” dhe se, sipas tij, do të aplikojnë një tarifë prej 20% mbi të gjitha ngarkesat e transportuara për të mbuluar kostot e garantimit të sigurisë në këtë korridor strategjik detar.

“Procesi dhe organizimi do të nisin menjëherë”, përfundoi presidenti amerikan në postimin e tij.

Top Channel