Pas vlerësimeve pozitive të KE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Gjermania angazhohet për fillim të shpejtë të negociatave për anëtarësim në BE.

Deklaratën e bëri ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas përmes një postimi në faqen zyrtare të dikasterit që drejton. “Edhe një herë, Komisioni Europian bëri vlerësime të mira për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet kanë pasur një progres të prekshëm në reformat kyçe, sidomos në forcimin e sistemit gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Ne i mbështesim vlerësimet pozitive të KE-së dhe po lobojmë në qarqet e BE-së për një fillim të shpejtë të negociatave, të cilat janë instrumenti më i mirë që mund t’u jepet Shqipërisë dhe RMV-së dhe mbështetja më e mirë e mundshme për progres të mëtejshëm”, ka thënë Maas. Shefi i diplomacisë gjermane paralajmëron më tej se nëse nuk hapen bisedimet, kjo do të jetë e dëmshme për dy vendet, por edhe për BE-në dhe Gjermaninë.

“Pa shenjë inkurajuese nga BE do të rrezikojmë progresin e madh të arritur në vitet e fundit. Kjo do të dëmtojë edhe interesat e BE-së dhe Gjermanisë. Ne na duhen shtete të qëndrueshme, efikase dhe demokratike në Ballkan Perëndimor”, thuhet më tej në deklaratë. Komisioni Europian me raportet e publikuara, thekson se Shkupi dhe Tirana i kanë përmbushur kriteret për fillim të negociatave dhe se pret nga Këshilli i BE-së që të marrë një vendim pozitiv.

Top Channel