Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së ka dhënë dënimet pas incidenteve të rënda të regjistruara në futbollin shqiptar, me Vllazninë që merr goditjen më të fortë.

Alban Xhaferi, zyrtari i Vllaznisë, është dënuar me 15 ndeshje pezullim nga veprimtaritë sportive, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Përveç pezullimit, Xhaferit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive të organizuara nga FSHF deri në përfundimin e dënimit.

Por ndëshkimet nuk ndalen këtu.

Edi Martini është dënuar me 6 ndeshje pezullim, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Ndërkohë, Elis Dervishaj merr 4 ndeshje pezullim, po për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Në total, vetëm tre zyrtarët e Vllaznisë grumbullojnë 25 ndeshje pezullim, një nga goditjet më të forta disiplinore të fundit ndaj një klubi shqiptar.

Edhe Ilir Daja është ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës. Trajneri i Dinamo City është dënuar me 2 ndeshje pezullim, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes.

Në të njëjtin vendim, AF Elbasani është gjobitur me 100 mijë lekë, për mospërmbushje të përgjegjësive lidhur me rendin dhe sigurinë, pas incidenteve të ndodhura pas përfundimit të ndeshjes, si brenda ashtu edhe në afërsi të stadiumit.

Komisioni ka shqyrtuar edhe disa kërkesa të tjera. Është pranuar kërkesa e lojtarit të Partizanit, Human Lancaster Rowan, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit, ndërsa janë rrëzuar kërkesat e Delvinës, Brajan Selmanit të Ilirisë dhe Bruno Telushit të Orikut.

Vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës mund të ankimohet brenda tre ditëve pranë Komisionit të Apelit.

Dënimi më i rëndë mbetet ai i Alban Xhaferit: 15 ndeshje pezullim dhe ndalim për të hyrë në stadiume, pas sulmit ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Top Channel