SHBA nxjerr monedhën me portretin e Trumpit, kundërshtime dhe polemika për dizajnin

02/09/2026 17:44

Një monedhë përkujtimore prej një dollari me portretin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka dalë në shitje në kuadër të përgatitjeve për 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara.

Sipas AFP-së, monedhat mund të blihen në pako prej 25 ose 100 copësh. Paketat kushtojnë përkatësisht 61 dhe 154 dollarë.

Në njërën anë të monedhës është paraqitur një shqiponjë, simboli i Shteteve të Bashkuara, ndërsa në anën tjetër ndodhet portreti i Trumpit. Imazhi ngjason me portretin e tij zyrtar, i cili është frymëzuar nga një fotografi e bërë nga policia gjatë hetimeve në Gjeorgji për akuzat lidhur me ndërhyrjen e dyshuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Monedha u miratua në mesin e marsit nga Komisioni i Arteve të Bukura, anëtarët e të cilit janë emëruar nga Trump.

“Ndërsa i afrohemi 250-vjetorit, ne po projektojmë monedha që simbolizojnë frymën e vendit tonë dhe demokracinë tonë”, deklaroi në atë kohë zyrtari i Thesarit amerikan, Brandon Rich.

“Nuk ka portret më ikonik për këto monedha sesa ai i Presidentit Donald Trump”, shtoi ai.


Por vendimi ka shkaktuar edhe debate. Në fund të shkurtit, Komiteti Këshillimor i Qytetarëve për Monedhat (CCAC), një tjetër organ që jep mendime për monedhat e reja, refuzoi të shqyrtonte një propozim për prerjen e një monedhe me imazhin e Trumpit.

Donald Scarinci, një nga anëtarët e CCAC, argumentoi se që nga Deklarata e Pavarësisë në vitin 1776, Shtetet e Bashkuara nuk kanë prerë monedha me imazhin e një udhëheqësi të zgjedhur në mënyrë demokratike gjatë kohës që ai është në detyrë.

“Vetëm kombet e sunduara nga mbretër ose diktatorë vendosin imazhin e udhëheqësve të tyre në monedhat e tyre”, komentoi Scarinci.

Megjithatë, monedha me portretin e Trumpit tashmë është hedhur në qarkullim si pjesë e festimeve për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara, duke e kthyer atë në një objekt të veçantë për koleksionistët.

Top Channel