Brukseli ka parashtruar planet e tij që synojnë ta zbusin rrugën e zgjerimit të BE-së, duke i shtuar njëkohësisht vendeve anëtare fuqinë për të ndaluar ose kthyer mbrapsht bisedimet e pranimit, në përgjigje të shqetësimeve të paraqitura nga Parisi dhe disa kryeqyteteve të tjera të Europës.

Drafti, të cilin ka mundur ta shohë Financial Times, e merr shtysën nga diskutimet që ngjalli vetoja e Francës për celjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Dokumenti i Komisionit Evropian, i cili do të botohet këtë javë, bën gati skenën e një beteje të mundshme mes vendeve anëtarë për t`ia dhënë më në fund dy vendeve dritën jeshile të nisjes së negocjatave.

Drafti i komisionit për zgjerimin i pranon “thirrje të forta” të disa anëtarëve por edhe ato të aspirantëve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, duke u fokusuar tek nevoja për një qartësi më të madhe se çfarë pret Brukseli prej aspirantëve dhe cilat janë pasojat e përmbushjes ose dështimit të këtyre testeve.

Aty thuhet se hapat prapa ose vonesat në reformat e kërkuara prej vendeve aspirante mund të çojnë drejt bllokimit të bisedimeve, ose ne rihapjen e kapitujve të mbyllur për diskutim.

Drafti gjithashtu bën thirrje për stimuj të përmirësuar për vendet aspirante që kanë performancë të kënaqshme, duke përfshirë këtu shtimin e fondeve dhe investimeve dhe integrim më të ngushtë me politikën e BE-së, tregjet dhe programet në fushat ku është bërë përparim.

Top Channel