“1.30 cm i shkurtër nga shtati, por i gjatë nga babëzia”, Erion Isai përplaset me Nokën: Si ka mundësi që kryetari yt i Rithemelimit është fitues i shumë tenderave në bashki?!

28/04/2024 13:05

Demokrati Flamur Noka gjatë takimit me mbështetësit e Rithemelimit në bashkinë Kolonjë nuk i kurseu akuzat ndaj kreut të kësaj bashkie, Erion Isai.

“Në biseda me qytetarët e Kolonjës do shohësh një trishtim të madh, varfëri të tejskajshme, ku e ka zhytur ky regjim. Njerëzit janë më shpresë të vrarë, nuk shohin perspektivë dhe kjo është më shumë sesa një dramë për shoqërinë.

Zonat nuk zhvillohen sepse ky pushtet nuk i e ka mendjen për ta zhvilluar. Ky Erioni këtu 1.30 cm është i shkurtër nga shtati, por i gjatë nga babëzia. Këta miq nuk janë pushtetarë, por grabitqarë. Nuk janë ulur në karrige të shtetit për të qeverisur. Janë plaçkitës dhe misioni i tyre ka qenë vetë plaçkitja.

Më tej dëshpërimi thellohet dhe më shumë sepse nuk ka gjë më dëshpëruese sesa një shoqëri të ndodhet gjithmonë përballë padrejtësisë”, tha Noka.

Pas deklaratës së Nokës, Erion Isai iu kundërpërgjigj se nëse bashkia Kolonjë është e korruptuar, si ka mundësi që shumicën e tenderave aty e fiton kryetari i Rithemelimit të Berishës.

“Flamur Noka në një sallë me 15 veta qenkërka marrë me përmasat e mia sot. Mirë se vjen (megjithëse shumë rrallë, Flamur) Kolonja mirëpret këdo. Gabim e ke lexuar gjithmonë Kolonjën. Vjet erdhe 20 minuta dhe shpalle fitore të thellë. Sot fole për abuzime, por pyet pak partinë tënde aty: Kur bashkia abuzon si ka mundësi që kryetari yt i Rithemelimit është fitues i shumë tenderave në atë bashki?

Shihemi në maj 2025 Flamur. Edhe më thellë!

P:S

Ajo kolona e rezultatit do jetë edhe më e gjatë vitin tjetër. Herën tjetër kur të vish, të takoj me kënaqësi; për turistët kemi respekt”, shkruan Isai.

Top Channel