Masakra që ndryshoi historinë/ 21 vite më parë në Reçak u masakruan 45 viktima

15/01/2020 14:37

Njëzetenjë vjet më parë, më 15 janar të vitit 1999, pak banorë që nuk ishin larguar nga fshati Reçak i Komunë së Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.

Atë ditë në këtë fshat, që është rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo ngjarje, u cilësua si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili rikthehet në këtë fshat, thuajse çdo përvjetor. Ngjarja që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

“Vizita ime këtu ka dy arsye te rëndësishme….”, ka thënë Walker.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashke me atë shqiptar, Ilir Meta, bënë homazhe në nder të viktimave dhe nga Recaku, kërkuan drejtësi për të gjitha masakrat e ndodhura në Kosovë.

“Edhe kjo masakër si kur gjitha masakrat tjera do të jenë ato që ne kërkojmë vazhdimisht që të zbardhen. Dua të shpreh revoltën time edhe sot, që drejtësia ndërkombëtare për fat të keq duke mos dashur të ia prish qejfin Serbisë ka heshtur për të zbardhur rastet e 400 masakrave të kryera në Kosovë”, është shprehur Thaçi.

“Ishte një përgjegjësi dhe detyrim i imi për të qenë këtu, së bashku me presidentin Thaçi edhe më të gjithë ju për t’u përkulur me nderim të pakufishëm përpara kujtimit të fëmijëve të moshuarve të banorëve të Reçakut të masakruar barbarisht 20 vite më parë me një akt që nuk mund të përmblidhet më saktë me tre fjalë siç bëri 21 vite më parë ambasadori Walker, krime kundër njerëzimit….”, ka thënë Presidenti i vendit.

Në këtë 21 vjetor, ceremonitë përkujtimore kanë qenë të shumta. Pas homazheve në Reçak, u mbajt edhe një akademi përkujtimore. Mos harro Reçakun, ishte motoja e aktiviteteve në këtë 21 vjetor të një prej masakrave më të tmerrshme, pas asaj të Srebrenicës.

Top Channel