Kanë qenë të shumta komentet pas lajmit se Renato Mekolli është larguar nga Hell’s Kitchen.

Pyetjet se pse ndodhi kjo kanë qenë me mijëra, nëpër rrjetet sociale të Top Channel e Hell’s Kitchen. Kurioziteti sigurisht vazhdon të jetë i madh për aq kohë sa nuk është dhënë ende asnjë sqarim në lidhje me këtë situatë. Sepse gjithçka do të shpjegohet sonte në darkë, në puntatën e rradhës, ku gjithë fansat e Renatos dhe të Hell’s Kitchen do të kenë mundësi të kuptojnë se çfarë ka ndodhur dhe cilat kanë qenë arsyet që e kanë shtyrë djallin drejt këtij vendimi, që të largohet e ta lërë ferrin në duart e dikujt tjetër. Sot në darkë do të zbulohet se ikja e Renatos ka ndodhur në mes të puntatës.

Sfidën e parë, atë mes skuadrave, ku të pranishme do të jenë një balerinë seksi (një djall e di pse duhet ajo aty) e pastaj edhe dy dietologe, do ta drejtojë vetë shef Renato, derisa do të arrijë të shpallë dhe fituesit e humbësit. Pastaj një situatë që nuk pritej fare të ndodhte e ka çuar Renaton drejt një vendimi drastik: të largohet nga kuzhina. I gjendur në një situatë të tillë, produksioni ka gjetur një zgjidhje tjetër. Sfida e dytë, ajo e restorantit do të drejtohet nga shefi i ri, Alsi Sinanaj, që edhe pse erdhi sa hap e mbyll sytë, e gjeti menjëherë veten në atë terren të ri. Eksperiencat e tij në televizionet greke i dhanë energjinë e duhur për t’u ndjerë si në shtëpinë e tij, edhe pse konkurrentët nuk e pritën aspak mirë. Derisa zbuluan se kush ishte në të vërtetë shefi i ri në kuzhinën e ferrit.

Është natë e jashtëzakonshme kjo e sotmja. Pas një jave mungesë, për shkak të situatës së jashtëzakonshme që ndodhi në vend, Hell’s Kitchen Albania 2 do të rikthehet sot në mbrëmje në ekranin e Top Channel, me këtë ndryshimin e madh që për shumëkënd duket pozitiv por për shumë e shumë të tjerë është gjëja që s’duhej të ndodhte kurrë. Por ja që ndodhi dhe shfaqja duhet të vazhdojë.

Top Channel