Teatri legjendar i Operas dhe Baletit, “La Scala” në Milano për një mbrëmje do të vihet në dispozicion të sportit.

Në këtë skenë të famshme të artit botëror në mbrëmjen e sotme do të ngjiten yjet e futbollit botëror në ceremoninë e ndarjeve të çmimeve të The Best të FIFA që do të drejtohet nga gazetarja e njohur sportive Ilaria D’Amico dhe Ruud Gullit. Tashmë janë përcaktuar finalistët për çdo kategori, me fituesit që do të dalin pas votimeve të trajnerëve e kapitenëve të kombëtareve, gazetarët në të gjithë botën dhe tifozët.

Për futbollistin më të mirë të vitit, finalistët janë të njëjtët që ishin edhe në ndarjen e cmimeve të UEFA; Virgil Van Dijk që do të kërkojë të përsërisë suksesin,  Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Argjentinasi i barcelonës është në garë edhe për një cmim tjetër; çmimin Puskas për golin më të bukur, për golin që shënoi ndaj Betis dhe në garë me të janë Quintero dhe Zsori. Përsa i përket futbollit të femrave në garë për cmimin e lojtares më të mirë të FIFA janë amerikanet Megan Rapino dhe Alex Morgan, kampione të botës me SHBA si dhe futbollistja e Olympique të Lyon, Lucy Bronze.

Padyshim që në mbrëmjen e sotme do të vlerësohen edhe trajnerët më të mirë dhe në kategorinë e meshkujve gara është mes 3 trajnerëve që janë në Premier League, Klopp, Guardiola e Pochetino, ndërsa në futbollin e femrave finalistët janë Jill Elis i ekipit të SHBA , Phil Nevil i Anglisë dhe Sarina Wiegman e Holandës. Në La Scala do të jepen edhe çmime të tjera, ndërkohë që do të shpallet edhe formacioni ideal për të cilin kanë votuar 23 mijë futbollistë anëtarë të FIFPro

 

Top Channel