Autoriteti Rrugor Shqiptar fitoi gjyqin për të arkëtuar garancinë financiare të paraqitur nga kompania ‘DH Albana’ në tenderin për lotin e parë të unazës së Tiranës.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë urdhëroi dy shoqëritë e sigurimit, të cilat patën lëshuar garancinë financiare të ‘DH Albania’, që të paguajnë 2.2 milionë euro për llogari të autoritetit rrugor.

Konflikti për garancinë financiare të ‘DH Albania’ nisi menjëherë pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve. Pasi u zbulua se ‘DH Albania’ kishte falsifikuar dokumentet, qeveria u detyrua të prishte kontratën për lotin e parë të unazës. Por kur shteti nisi procedurën për të sekuestruar garancinë financiare të kompanisë, shoqëritë e sigurimit refuzuan të paguajnë.

Përmes një shkrese zyrtare drejtuar autoritetit rrugor, kompanitë që kishin siguruar ofertën e ‘DH Albania’, pretendonin se garancia që ato kanë lëshuar mbulonte realizimin e punimeve dhe jo  vërtetësinë e informacionit të paraqitur nga ‘DH Albania’, çka sipas tyre ishte detyre e vete institucioneve te shtetit.

Pas refuzimit autoriteti rrugor I paditi shoqëritë e sigurimit në gjykatën administrative duke kërkuar arkëtimin e 2.2 milionë eurove të garancisë. Burime zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës bëjnë të ditur se gjykata ka shpallur vendimin në favor të shtetit, duke detyruar shoqëritë e sigurimeve të paguajnë 2.2 milionë euro për llogari të autoritetit. Megjithatë ky është vetëm vendimi I shkallës së parë, dhe ende nuk dihet nëse çështja do të shkojë në gjykatën e apelit, ku vendimi merr formën e prerë.

 

Top Channel