Nga selia e Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu ka bërë thirrje emigrantëve shqiptarë që të votojnë për Partinë Popullore Europiane në zgjedhjet e Parlamentit Europian.

Sipas tij, këto zgjedhje janë një betejë për vlerat europiane, një betejë që do ta mbajnë Europën të fortë e të bashkuar.

“Në Shqipëri po zhvillohet një betejë për jetë a vdekje për standardet dhe vlerat evropiane të zgjedhjeve të lira e të ndershme, të lirisë dhe demokracisë, të votës së lirë, të ndarjes së balancimit të pushteteve. Këto janë vlerat europiane, për të cilat lufton Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar. Por këto ditë, një betejë tjetër po zhvillohet në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Janë një betejë për vlerat evropiane, janë një betejë për ta mbajtur Europën të fortë, e bashkuar, demokratike dhe të lirë, mendjehapur dhe të vendosur për të siguruar integrimin europian dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian së toku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndim. Kërkesa ime ndaj jush është që t’i drejtoheni kutive të votimit dhe të zgjidhni Partinë Popullore Europiane, partitë tona simotra! Të votoni për partitë simotra të Partisë Popullore Europiane, kudo ku ndodheni, në vendet fqinje, në Itali dhe Greqi, në Gjermaninë mike dhe aleate, në vendet mike dhe aleate të Shqipërisë! Të votoni për partinë që ka udhëhequr Europën drejt kohërave të demokracisë dhe prosperiteti! Në këtë mënyrë do të keni votuar për një parti të vizionit evropian, të një Europe të plotë”, tha Basha.

Top Channel