“Personave në listën e zezë të të dënuarve për krime zgjedhore do t’u hiqet përgjithnjë e drejta e hyrjes në SHBA dhe BE”.

Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë si një paralajmërim për ata që deklarojnë se do të pengojnë të bëhen zgjedhje më 30 qershor, por edhe personat që i ndjekin. Mesazhi i tij nuk ishte vetëm për Bashën, Berishën apo Kryemadhin, por kryeministri tentoi të lajmëronte mbështetësit e opozitës që mund të përdorin forcën për të ndalur zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Por, cili është ligji ku u bazua Rama për mosdhënien e vizës nga SHBA, për ata që tentojnë të pengojnë zgjedhjet? Gazeta Shqip tregon se i gjithë arsyetimi i shefit të qeverisë lidhet me Presidential Proclamation 7750/ Section 1(c). Ky është ligji 7750 dhe ka hyrë në fuqi më 12 janar 2004, kohë kur “Shtëpia e Bardhë” drejtohej nga George W. Bush dhe aty thuhet se i pezullohet hyrja si emigrantë ose person jo-migrues me qëllime turistike personave të përfshirë në skandale korrupsioni ose atyre që përfitojnë prej tij. Në këtë ligj thuhet: “Zyrtarëve publikë ose zyrtarëve të mëparshëm publikë, keqpërdorimi me fondet publike i të cilëve, ose ndërhyrja në gjyqësor, procese elektoral ose procese të tjera publike kanë ose kanë pasur efekte serioze negative në interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Lista e zezë e hartuar nga Departamenti i Shtetit për Shqipërinë ekziston në fakt dhe në të, të parët u futën shumë emra të drejtësisë të cilët më pas vetting-u i shkarkoi, por në listë janë edhe politikanë.

Më i fundit u bë i ditur nga “Zëri i Amerikës” dhe ishte numri dy i LSI-së, Petrit Vasili.

Top Channel