Në shtëpinë e korrierit të hashashit. Të rinjtë e varfër që përdoren për transportin e drogës

08/05/2019 19:51

Top Channel vizitoi shtëpinë e Kujtim Zmajlit, i arrestuar pak muaj më parë si një nga korrierët që është rekrutuar nga trafikantët e drogës për të transportuar kanabis me çanta në krah nga Shqipëria në Greqi.

Familja e tij jeton në kushte të mjerueshme, e ëma ka probleme shëndetësore ndërsa nuk kanë përkrahje sociale nga shteti.

Në këto kushte për trafikantët dhe njerëzit e botës së krimit ka qenë mjaft e lehtë për ta rekrutuar Kujtimin, i cili tashmë nuk ka as avokat, pasi familja nuk ka mundësi ekonomike për ta mbështetur e për ta mbrojtur atë në Gjykatë.

Kujtimi që po hetohet nga Krimet e Rënda pas operacionit ndërkombëtar të së martës, është një ndër ata dhjëtra fatkeq që udhëtojnë mes maleve në këmbë dhjetëra kilometra të ngarkuar me drogë në krah.

Dyshohet se ai është përdorur nga trafikantët në së paku 3 episode, ndërsa gjendet i arrestuar në burg pas tentativës për misionin e radhës .

Hetimet tregojnë, se si ai, nga i njëjti grup kriminal janë përdorur edhe te rinj të tjerë, që kanë udhëtuar të ngarkuar me drogë, siç janë: Trimosh Leskaj, Emilian Lamkollari dhe Elton Lanaj.

Kujtimi është djali i madh i familjes Zmaili që jeton në Çekrezë. Familja nuk e di ku e ka edhe djalin tjetër, ndërsa më i vogli është invalid sëbashku me të ëmën.

“Kemi kërkuar të gjejmë punë, por s’kemi gjetur. Nuk ka punë. Me atë gjysmë pensioni që ka burri po vijmë vërdall”, thotë Prenda Zmailaj, mamaja e Kujtimit.

Ajo tregon se dikush e ka shfrytëzuar mjerimin e tyre.

“E ka parë edhe ai që nuk ka zgjidhje tjetër. Djali kërkonte punë, por nuk gjente”, thotë Prenda.

Pak ditë më parë Top Channel raportoi se përveç mënyrave të sofistikuara të trafikut te drogës , apo përdorimit te mushkave, tashme trafikantet po shfrytëzojnë edhe varfërinë. Siç rezulton një i rekrutuar si transportues paguhet nga 100 mijë leke deri në 200 mijë lekë.

Vetëm nga operacioni i fundit në të cilin u goditen 2 grupe kriminale, mendohet se në këtë mënyrë është transportuar në krahë, 1 ton kanabis sativa.

Top Channel