Spanja ‘ndez’ Madridin, 2 milionë persona festojnë titullin botëror me La Roja
Argjentina që për vite me radhë magjepsi botën me Lionel Messin, këtë herë tregoi edhe anën e saj më të diskutueshme. Në finalen e humbur ndaj Spanjës, “Albicelestët” nuk arritën t’i bëjnë ballë superioritetit të kundërshtarit dhe në shumë momente zgjodhën lojën e ashpër për të ndalur ritmin e spanjollëve.
Pamja e Lionel Messit duke qarë gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve ishte një nga momentet më prekëse të mbrëmjes. Për shumë tifozë, ajo u interpretua si një sinjal se fundi i karrierës së tij me kombëtaren po afrohet. Pas një rruge të jashtëzakonshme dhe një karriere të mbushur me trofe, koha duket se po i lë vend brezit të ri, ku Spanja me Rodrin dhe talentin e ri Lamine Yamal po shfaqet si një fuqi e re e futbollit botëror.
Në fushë, Argjentina nuk arriti të rivalizonte në aspektin teknik dhe u mbështet më shumë te loja fizike. Nicolas Otamendi, Leandro Paredes dhe Enzo Fernández ishin ndër protagonistët e një ndeshjeje me shumë ndërhyrje të forta. Kulmi erdhi me kartonin e kuq të Enzo Fernández, i cili u ndëshkua me të drejtë pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj Pau Cubarsí.
Edhe Leandro Paredes u kritikua për mënyrën se si hyri në lojë. Mesfushori u përfshi menjëherë në duele të ashpra, ndërsa një shtyrje ndaj Rodrit pak minuta pas aktivizimit u pa si tregues i qartë i strategjisë së Argjentinës për të prishur ritmin e kundërshtarit.
Trajneri Lionel Scaloni bëri pesë zëvendësime që në minutën e 70-të, duke kërkuar një reagim nga skuadra. Ai kishte ndryshuar ndjeshëm formacionin krahasuar me gjysmëfinalen, duke aktivizuar Gonzalo Montielin, Nico Gonzálezin dhe Rodrigo De Paul me synimin për të frenuar Spanjën. Megjithatë, problemet fizike dhe mosha e disa lojtarëve ndikuan në performancën e ekipit.
Pas përfundimit të finales, Scaloni la të hapur mundësinë e largimit nga stoli i Argjentinës. “Do të vazhdoj deri në dhjetor dhe më pas ka shumë gjasa të ndalem”, u shpreh ai, duke shtuar edhe më shumë pasiguri për të ardhmen e kampionëve të botës.
Argjentina u përpoq ta çonte sfidën drejt kohës shtesë dhe penalltive, një skenar ku ka treguar shpesh forcën e saj psikologjike. Megjithatë, kësaj radhe plani nuk funksionoi dhe Spanja doli fituese, duke konfirmuar epërsinë e saj.
Për Argjentinën, humbja nuk përfaqëson vetëm fundin e një turneu, por mund të shënojë edhe mbylljen e një cikli historik. Ndërsa Messi po i afrohet fundit të karrierës, kombëtarja argjentinase përballet me sfidën e ndërtimit të një epoke të re.
Top Channel