Pasagjer në taksi i armatosur, arrestohet 31-vjeçari në jug të vendit/ Në pranga edhe një i ri tjetër, po transportonte…

20/07/2026 11:04

Policia e Vlorës ka zhvilluar brenda 24 orëve tre operacione të ndryshme kundër armëmbajtjes pa leje, vjedhjes me dhunë dhe transportimit të paligjshëm të personave drejt Greqisë.

Si rezultat i aksioneve janë arrestuar tre shtetas, ndërsa janë sekuestruar një armë zjarri, një thikë dhe një automjet.

Në kuadër të operacionit të koduar “Pasagjeri”, shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë shtetasin D. M., 26 vjeç, banues në Babrru, Tiranë.

Gjatë kontrollit të kryer pas ndalimit të taksisë me të cilën ai udhëtonte, policia i gjeti një pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën e posedonte pa leje.

Në një tjetër operacion, të koduar “Thirrja”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, arrestuan shtetasin H. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Vanë.

Sipas policisë, ai u kap pak orë pasi një punonjës i OShEE-së kallëzoi se ishte dhunuar dhe se autori i kishte vjedhur automjetin e kompanisë. Mjeti u lokalizua dhe iu kthye subjektit me urdhër të prokurorit, ndërsa gjatë kontrollit fizik të të arrestuarit iu gjet edhe një thikë.

Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë finalizuan operacionin “Barriera”, duke arrestuar në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë shtetasin M. Q., 30 vjeç, banues në Belsh.

Ai dyshohet se transportonte me një automjet tip “Volkswagen” pesë shtetas, katër nga Shqipëria dhe një nga Kosova, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në Greqi, pasi kishin pengesa për lëvizjen në zonën Schengen.

Materialet procedurale janë referuar në prokuroritë përkatëse për vijimin e veprimeve hetimore.

Top Channel