Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi në Samitin e Ballkanit në Berlin se “duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit” nëse është dëshira për të realizuar iniciativat e mira nga Procesi i Berlinit që deri tani kanë mbetur pa realizuar.

“Në hapjen e Samitit të Berlinit fola për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin. Situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar. Kjo situatë e keqe në nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte. Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare. Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme”, deklaroi Thaçi.

“Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë. Qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të diskriminohen në këtë mënyrë”, shtoi Thaçi.

Më tej në një dalje për mediat Thaçi u shpreh i zhgënjyer me samitin e sidomos me pozicionin e presidentit Macron për dhënien e dritës jeshile liberalizinit të vizave.

“Rikonfirmuam zotimin për fqinjësi të mirë dhe normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ku kanë dëgjuar me vëmendje kancelaren Merkel dhe presidentin Macron. Ky konflikt i ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë duhet të tejkalohet dhe mundësia e vetme është dialogu. Nuk do të ketë dialog të kushtëzuar dhe dialogu duhet të ndodh në një proces normal për njohje të Kosovës. Nuk do të ketë shkëmbim të territoreve dhe do punojmë me qëllimin e përfshirjes së Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit në territorin e Kosovës. Është një korrigjim historik i padrejtësive që kanë ndodh ndaj nesh. Nuk do të lejoj asnjë autonomi të serbëve në Kosovë. Këto ide janë të vdekura. Nuk do të ketë as asociacion me kompetenca ekzekutive, vetëm një asociacion që respekton Kushtetutën, që është një lloj OJQ-je”, tha ai.

Top Channel