I ftuar në studion e “Top Show”-t për të diskutuar mbi debatet e shkaktuara nga libri mbi krimet e komunizmit, me autor Çelo Hoxhën, Mariglen Kasmi replikoi ndaj tij duke thënë se të sulmosh partizanët dhe t’i quash kriminelë, duhet të matesh mirë.

Sipas Hoxhës, partizanët bënë një luftë të gabuar, pasi organizimin politik të rezistencës e nisën në vitin 1941, madje një pjesë të mirë të listës i quajti bashkëpunëtorë të fashizmit, qeverisë pushtuese nga viti ’39. Sipas tij, lufta u bë në funksion të Bashkimit Sovjetik, e kësisoj ishte luftë për pushtet dhe jo çlirim.

Ndërkohë, edhe Auron Tare tha se është gabim të quash partizanët që çliruan vendin si kriminelë, pasi një gjë të tillë mund ta bënin gjermanët, ndaj të cilëve u luftua. Madje quajti jokorrekte, të themi me vetëdije që kemi qenë në krahun e rusëve. “Të mohosh LANÇ-in është të mohosh luftën. Të dalim në 2019-n dhe të themi që partizanët ishin kriminelë, kjo nuk është korrekte”, tha Tare.

Vetëm falë luftimit në krah të aleatëve dhe luftës së partizanëve ndaj gjermanëve, sipas Auron Tares është ruajtur integriteti territorial i Shqipërisë, përndryshe vendi do të ishte copëtuar mes palëve fituese të luftës.

Çlirimi i vendit, sipas Erald Kaprit, solli edhe një luftë civile për shkak të luftës për pushtet të palëve. Njëra palë mendon se duke folur për krimet gjatë luftës humbet rëndësia e luftës, ndërsa pala tjetër kërkon denigrimin e kundërshtarëve.

Top Channel