Kukësi nën tokë mbushet me turistë, qyteti nëntokësor po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj

19/08/2026 12:23

Nga Holanda në Kukës, historia e qytetit nëntokësor po tërheq turistë nga Europa dhe vende të ndryshme të botës. Të shoqëruar nga guida, vizitorët zbresin në hapësirat e ndërtuara gjatë periudhës komuniste, për të njohur nga afër historinë e këtij qyteti.

“Është shumë interesante për t’u parë. Është goxha e madhe, ka shumë hapësirë, domethënë ka shumë dhoma dhe është shumë interesante të dëgjosh se çfarë ka ndodhur këtu. Guida jonë na shpjegoi me detaje pse është ndërtuar ky tunel nëntokësor gjatë kohës së komunizmit. Në disa vende kishte edhe hapësira për strehim kundër bombardimeve ajrore”, tha turisti.

“Ne vijmë nga Holanda, bashkë me bashkëshortin dhe dy djemtë. Historia e këtij qyteti nëntokësor ishte interesante”, tha një turiste.

Dhomat, hapësirat e strehimit dhe strukturat nëntokësore u tregojnë vizitorëve një tjetër anë të historisë së Kukësit, ndërsa interesi i tyre lidhet pikërisht me njohjen e së kaluarës së këtij vendi.

Por për të mbërritur në këtë destinacion historik, vizitorët përballen me një problem konkret. Rreth dy kilometra rrugë nga qyteti i Kukësit deri te hyrja e kompleksit janë të paasfaltuara.

Për guidën, përmirësimi i infrastrukturës do të ishte një mundësi për ta bërë më të aksesueshëm këtë destinacion, që tërheq vizitorë të interesuar për historinë e Kukësit dhe të periudhës komuniste.

Top Channel