“U dorëzova vetë”/ Ylli Zalla flet para gjykatës: I prisja që të vinin, Policia më ka futur në hasmëri me gjithë zonën dhe duan të më vrasin

19/08/2026 12:46

Ylli Zalla, i arrestuar dy ditë më parë në Krujë, ka dhënë dëshminë e tij para gjykatës, ndërsa vijon përballja me akuzat që lidhen me arsenalin e armëve dhe municionin e gjetur në pronën e tij.

Zalla ka deklaruar se nuk është përpjekur t’i shmanget policisë, por se është dorëzuar vetë gjatë operacionit. Ky argument është ngritur edhe nga avokati i tij, i cili ka pretenduar se klienti i tij ka thirrur efektivët e RENEA-s dhe është identifikuar, duke u dorëzuar pa rezistencë.

“Jam vetëdorëzuar, i prisja që të vinin. Isha aty afër. Policia e Shtetit, policia e Tiranës edhe e Krujës më kanë futur në hasmëri me gjithë zonën dhe duan të më vrasin”, është shprehur ai, siç bën me dije gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Pavarësisht pretendimeve të Zallës dhe mbrojtjes, gjykata ka vendosur masën “arrest në burg”. Avokati ka kërkuar një masë më të lehtë, duke argumentuar se armët ishin të vjetra, disa nga materialet nuk ishin funksionale dhe se nuk ekzistojnë prova që Zalla i ka përdorur ato në veprimtari kriminale.

Zalla ishte shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025, ndërsa arrestimi i tij u realizua në Krujë nga forcat RENEA dhe strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.

Top Channel