Pamjet nga aksidenti me 3 viktima në Manzë/ BMW-ja e shkatërruar, dyshohet se drejtuesi humbi kontrollin dhe mjeti u përplas në bordurë

19/08/2026 08:02

Pamjet e siguruara nga Top Channel nga vendngjarja tregojnë përmasat e rënda të aksidentit tragjik të regjistruar në orët e para të mëngjesit në Manzë të Durrësit, ku tre persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën.

Në pamje shihet automjeti tip BMW, i cili është dëmtuar rëndë dhe thuajse tërësisht. Nga të dhënat paraprake dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke rënë në një kanal dhe më pas duke u përplasur me një strukturë betoni në anë të rrugës.

Përplasja rezultoi fatale për tre prej personave që ndodheshin në makinë. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e personave nga automjeti dhe për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.

Dy personat e plagosur janë transportuar për ndihmë mjekësore drejt Tiranës, ndërsa njëri prej tyre, një 16-vjeçar, raportohet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, tre personat që humbën jetën si pasojë e aksidentit janë nxjerrë nga automjeti dhe janë transportuar drejt morgut.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë gjithashtu për nxjerrjen e automjetit BMË nga kanali, ndërsa në vendngjarje kanë vijuar veprimet e grupit hetimor për të dokumentuar dhe zbardhur dinamikën e plotë të aksidentit.

Aksidenti ndodhi rreth orës 02:22 në një rrugë dytësore në Manzë. Sipas informacionit paraprak të Policisë, viktimat janë drejtuesi i automjetit, K. V., 25 vjeç, si dhe pasagjerët S. B., 26 vjeçe, dhe A. M., 15 vjeç.

Top Channel